Një konflikt familjar për pronën dhe rrugën e kalimit ka përçarë një familje, ndërsa në qendër të përplasjes është një nënë 74-vjeçare, e cila akuzon të birin dhe nusen se e kanë dhunuar dhe e kanë penguar të hyjë në banesën e saj. Sabire Qafa, e ftuar në studion e emisionit “Pa Gjurmë” në Report TV, me gazetaren Odeta Dume, rrëfeu se prej shtatorit të vitit 2025 nuk ka shkelur më në shtëpinë e saj. E moshuara tregoi se konfliktet me të birin nisën pas ndarjes së pasurisë dhe se situata u përkeqësua deri në dhunë fizike. Sipas saj, një nga episodet më të rënda ndodhi teksa po hante drekë, kur djali e kapi për fyti dhe e nxori nga banesa me shqelma.

“Ishte i inatosur sepse unë e kisha ndarë tokën në mënyrë të barabartë mes tij dhe djalit të madh. Djali i vogël kërkonte më shumë pronë. Atë ditë po hanim drekë kur nisëm të konfliktoheshim. Në gjaknxehtësi e sipër, më kapi për fyti dhe më nxori nga shtëpia me shqelma. ‘Mos më shkel më këtu, sepse kjo është shtëpia ime!’, më tha. U largova nga frika”, rrëfeu mes lotësh 74-vjeçarja.

Pavarësisht dhunës që pretendon se ka përjetuar, Sabire Qafa tregoi se fillimisht zgjodhi të mos e denonconte të birin në polici, pasi nuk dëshironte t'i shkatërronte jetën. Ajo akuzoi djalin dhe nusen se i mbyllnin derën e shtëpisë, duke e lënë pa ushqim dhe pa ilaçet e nevojshme.

“Djali dhe nusja më mbyllnin derën dhe më lanë jashtë. Nuk arrita të merrja as ilaçet e mia. Atë natë shkova të flija në shtëpinë e djalit të madh, i cili jeton në Greqi. Shtëpia ishte bosh, nuk kishte asnjë orendi. U detyrova të flija përtokë. Më zuri gjumi pa ngrënë bukë dhe pa marrë ilaçet”, rrëfeu 74-vjeçarja Sabire Qafa.’

Historia mori një tjetër rrjedhë gjatë emisionit “Pa Gjurmë”, kur gazetarja Odeta Dume tentoi të merrte edhe qëndrimin e palës tjetër, duke telefonuar familjen e djalit të 74-vjeçares. Në bisedë reagoi nusja, Estela Qafa, e cila hodhi poshtë pretendimet e vjehrrës dhe deklaroi se mes tyre ekziston një proces gjyqësor.

“Unë jam në gjyq me të. Ne nuk ia kemi kyçur derën e shtëpisë, janë të gjitha gënjeshtra ato që ajo po thotë”, u shpreh Estela Qafa.

Deklarata e nuses nxori në pah dy versione krejtësisht të kundërta të konfliktit familjar. Ndërsa 74-vjeçarja këmbëngul se është penguar të hyjë në shtëpi dhe se ka qenë viktimë e dhunës. Në fund të rrëfimit, 74-vjeçarja iu drejtua publikisht të birit dhe nuses me një apel, duke theksuar se nuk kërkon pasuri, por vetëm mundësinë për të hyrë dhe dalë lirisht nga banesa.

Emisioni “Pa Gjurmë”, me gazetaren Odeta Dume, transmetohet çdo ditë në ekranin e Report TV, ora 16:00.