Në këtë rrugë lëvizin vetëm zetorët. Nga shkëmbinjtë kanë rënë gurë dhe e gjithë gjatësia mbushet me pluhur.
Në Janjar të Bashkisë së Konispolit qarkullimi me mjete të vogla është i pamundur. Fuoristradat e rralla mund t’u vijnë në ndihmë banorëve.
Banorët tregojnë se jo vetëm rruga ua ka nxirë jetën. Këtu nuk ka as ujë të pijshëm. Sidomos në verë.

“Në radhë të parë ne nuk kemi ujë, u thamë. Këtu mashtrim është çdo ditë mo aman, ne nuk dimë se ç’të bëjmë e nga t’ia mbajmë doktor jo, ujë jo, rrugë jo. Para 2 vjetëve u ka matur 10 herë ajo rrugë u hodh zhavorr e mori përroi, nuk u bë asnjë lloj ndërtimi”, shprehet Bejaz Brahimi, banor.
Kryetar i fshatit Neshat Mehmeti tregon se edhe pse është shpallur një tender për ndërtimin e ujësjellësit asnjë punim nuk ka nisur deri më sot në këtë fshat.
“Kryesore që janë është ujësjellësi dhe xhadeja kryesore. Këto janë probleme madhore për fshatin. Për ujin e kanë fituar tenderin dhe na thonë që së shpejti do fillojë po se kur do filloj nuk e di”, tha Mehmeti .
Vetëm pak metra larg kufirit me Greqinë, fshati Janjar ndodhet në jug të vendit në një nga zonat me bukuri të rrallë natyrës dhe pasuri të trashëgimisë kulturorë por infrastruktura e dobët e bën të paarritshme për vizitorët.
/LR/Shqiptarja.com
Komente

