Rreth 2,215 hektarë tokë bujqësore në fshatin Mursi në Konispol të Sarandës do të kalojnë nga sistemi tradicional i ujitjes me përmbytje në një sistem modern me presion, përmes një investimi të financuar nga Banka Botërore.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, inspektoi punimet për modernizimin e skemës ujitëse, duke bërë të ditur se rrjeti i ri i tubacioneve dhe hidranteve synon të reduktojë humbjet e ujit dhe kostot për fermerët.
Sipas ministrit, me rrjetin e ri fermerët do të kenë mundësi të përdorin sistemet e ujitjes me pika dhe shihedhës.
““Inspektuam punimet për modernizimin e skemës ujitëse të Mursisë, një investim i financuar nga Banka Botërore, që ndryshon tërësisht mënyrën e ujitjes në këtë zonë, duke kaluar nga sistemi tradicional me përmbytje në ujitje moderne me presion për rreth 2,215 hektarë tokë bujqësore. Përmes rrjetit të ri të tubacioneve dhe hidranteve, fermerët do të kenë më pak humbje uji, kosto më të ulëta dhe mundësi për përdorimin e sistemeve me pika dhe shihedhës, ndërsa paralelisht po punojmë për bujqësinë e zgjuar me sensorë dhe stacione meteorologjike. Një investim që kursen burimet ujore, ul kostot për fermerët dhe e bën bujqësinë më të qëndrueshme përballë ndryshimeve klimatike”, tha Salla.
Pamje nga punimet në Mursi të Konispolit ndau edhe kryeministri Edi Rama i cili vuri theksin tek kostot e ulëta dhe mundësitë e mëdha për fermerët.
"Puna për modernizimin e skemës ujitëse të Mursisë, një investim që ndryshon tërësisht mënyrën e ujitjes në këtë zonë. Përmes rrjetit të ri të tubacioneve dhe hidranteve, fermerët do të kenë më pak humbje uji, kosto më të ulëta dhe mundësi për përdorimin e sistemeve me pika dhe shihedhës" shkroi Rama










Komente
Komento