Pa stadium, tifozë dhe ekip! 'Diktatura' e FSHF-së dhe pësimet e KF Tiranës që rikthejnë makthet e së shkuarës

Pa stadium, tifozë dhe ekip! 'Diktatura' e FSHF-së dhe pësimet e KF Tiranës që rikthejnë makthet e së shkuarës

Foto ilustruese, KF Tirana

27 maji i vitit 2017 është i ngulitur në historinë e futbollit shqiptar dhe jo vetëm të tifozëve bardheblu, pasi Tirana e futbollit për herë të parë në histori rrëzohej nga elita e futbollit dhe luante në sezonin pasardhës në Kategorinë e Parë.

Më shumë se shtatë vite pas, te KF Tirana po kthehen makthet e së shkuarës dhe kjo për shumë faktorë. Goditja e fundit erdhi të premte nga Disiplina, me FSHF-në që dënoi klubin më të titullar në Shqipëri të luaj pjesën e mbetur të sezonit pa tifozë. Arsyeja? Një flakadan në fushë dhe dy 19-vjeçarë nën procedim.

'Plagët' e KF Tiranës së këtij sezoni nisin pa filluar ende sezoni, me drejtuesit e klubit që janë në gjyq për çështjen e pronësisë së klubit, e si të mos mjaftonte kjo në ekip ndodhi një "revolucion" i vërtetë. Thuajse 90 përqind e ekipit të një sezoni më parë u largua dhe bashkë me ta edhe trajneri, për të emëruar në stol Bledi Shkëmbin dhe në 'regji' si trurin e merkatos Agim Ibraimin.

Tirana pa stadium

16 gusht 1920. Kjo është data e themelimit të klubit bardheblu, që është i dyti më i vjetër në Shqipëri pas Vllaznisë (1919). Në më shumë se 104 vite histori, edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore, apo edhe gjatë periudhës Komuniste e më pas viteve të para të vështira në Demokraci, KF Tirana nuk kishte vuajtur për shtëpi.

Në javët e fundit KF Tirana ka shtegtuar në Vlorë, Korçë dhe Lushnjë në kërkim të një strehe. Kjo pasi "Selman Stërmasi" është lënë në gjendje të mjerueshme dhe në të nuk mund të luhet futboll.

Shtëpia e Tiranës është kthyer në shtëpinë e ahengjeve gjatë gjithë verës dhe askush nga ata që duhet të mirëmbajnë fushën nuk i kanë përmbushur detyrat. Me "Air Albanian" që është "kyçur" nga FSHF për ndeshjet e Kombëtares, nuk është çudi që KF Tirana si vendase të degdiset në çdo qytet të Shqipërisë për një stadium, ndërsa vetëm në kryeqytet nuk do mundet të luajë.

Tirana pa ekip

Ndryshimet e verës sollën shumë lojtarë të rinj në skuadër. Detyra e stafit teknik dhe Bledi Shkëmbit është që të krijojnë një ekip, gjë që në 11 javët e para të sezonit nuk është parë.

11 pikë, vendi i shtatë, një fitore, tetë barazime dhe dy humbje; 13 gola të shënuar dhe 15 të pësuar flasin për një klub që ende nuk ka mundur të krijojë një ekip.

Tirana pa tifozë

Nëse nuk do ketë një amnisti, KF Tirana për pjesën e mbetur të sezonit nuk do ketë asnjë mbështetës në stadium. Në humbjen 3-4 kundër Vllaznisë në stadiumin e Lushnjës, dy mbështetës të "Tirona Fanatics" hodhën në fushë sende piroteknike pas golit të katërt të Vllaznisë, që dëmtuan tre lojtarë miq dhe Esat Mala mori ndihmë në spital.

Policia identifikoi autorët, dy 19-vjeçarë që po procedohen në gjendje të lirë. Paçka se autorët e "krimit" janë gjetur, Disiplina pranë FSHF-së riktheu dënimet kolektive që të kujtojnë diktaturën dhe KF Tirana do ketë më së paku 200 mijë euro mangut në bilance, kjo sa i takon biletave nga tifozët (pjesa e luanit nga derbi kundër Partizanit).

Pa stadium, pa tifozë dhe pa një ekip që konkurron (deri në javën e 11-të), te Tirana duhen të punojnë më shumë për anën psikologjike me lojtarët, që kanë një ngërç jo për faj të talentit në këmbë; por për shkak të shumë rrethanave që kanë çuar klubin më të titulluar në Shqipëri të shohë makthe me rikthimin në Kategorinë e Parë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arben: 03/11/2024 11:41

    Mos dilni fare, bojkot per FSHF. Denimi kolektiv vazhdon edhe ne 2024. Turp. Forca Tirona

    Përgjigju
  • Petro Nini Luarasi: 02/11/2024 15:34

    Tirana, ekipi me i favorizuar 34 vite demokraci. Sa eshte toleruar Tirana per dhune dhe per trukime nuk eshte toleruar asnje ekip tjeter. Sa ankohen per stadium, ta kishin bere te vetin si Partizani. Po per Dinamon pse nuk flitni qe nuk ka stadium ose per Partzanin qe veç faktit pse ndertoi te vetin. Apo tek Tirana ju djeg.

    Përgjigju
  • Toni: 02/11/2024 12:45

    Amon mos dilni bojkot

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Shefi i NATO-s ‘shpreson për një tranzicion paqësor’ në Siri, pas rënies së regjimit të Assadit

Shefi i NATO-s ‘shpreson për një tranzicion paqësor’ në Siri, pas rënies së regjimit të Assadit