Një dhomë jo më pak se 6 m2, 150 litra ujë në ditë, pa televizor, pa radio, ushqim burgu me tre vakte, një kafe, monitorim 24 orë me kamera dhe policë si dhe uniformë për të dënuar janë rregullat që po aplikohen në regjimin e posaçëm 41 bis.

Sipas urdhërit të siguruar nga ReportTv ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj ka vënë në zbatim rregullat e reja ku të izoluarve në 41 bis u ndalohet të marrim ushqime nga familjarët, u lejohet vetëm një takim në muaj me familjar të afërm vërtetuar me çertifikatë të regjistrit të gjendjes civile dhe një telefonatë e regjistruar jo më shumë se 10 minuta.

Ky urdhër tashmë ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet në regjimin e posaçëm 41 bis në paraburgimin 313 dhe burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Në pikën 8 të kësaj rregullore është përcaktuar edhe ndriçimi i dhomës, ku çelsi për të fikur apo ndezur dritën ndodhet jashtë dhomës dhe do të komandohet nga rojet e burgut dhe jo i dënuari apo i paraburgosuri .

Ushqimi brenda këtyre qelive do të shpërndahet nga kuzhinieri i institucionit i shoqëruar nga stafi sigurisë dhe për çdo vakt do të mbahet një kampion për të dokumentuar se nuk ka rrezik.

Çdo i izoluar në 41 bis mund të kontrollohet nga mjeku i institucionit ndërsa në rast se kërkon një mjek privat ai do duhet ta paguaj me shpenzimet e veta, por përpara kësaj do duhet të plotësojë një kërkesë dhe të dokumentohet nevoja për praninë e mjekut privat.

Në rast të një situate pamundësie për kurim në spitalin e burgut të izoluarit në regjimin 41 bis kanë të drejtë të shkojnë në klinika të specializuara, por prenotimi i vizitës dhe orari lëvizjes mbahen sekret mes drejtuesit të shërbimit shëndetësor dhe drejtuesit të burgjeve.

Ndalur tek siguria dhe rendi përveç punonjësve të specializuar të burgjeve që do të jenë vetëm për këto sektorë të veçantë është planifikuar sipas një marrëveshje të burgjeve me policinë e shtetit dhe përdorimi i reparteve speciale si FNSH dhe RENEA.

Vetë efektivët e burgjeve të cilët do të punojnë përgjatë 24 orëve në këtë regjim do të kontrollohen për çdo hyrje dalje, me kontroll fizik apo pajisje për çdo send të palejueshëm që tentojnë të fusin në këto ambiente.

Aktuakushit në këtë regjim ndodhen 7 persona ndërsa kanë ankimuar në gjykatë izolimin e mes tyre Emiljano Shullazi i ka dërguar një letër Presidentit, Kreut të parlamentit dhe Kryeministrit duke kërkuar të nxirret nga 41 bis pasi po mbahet padrejtësisht.

( Kliko këtu për të lexuar urdhërin e ministrisë së drejtësisë për rregulloren në burgje)