Ndërsa “Mabco” e Behgjet Pacollit dhe “2A Group” e Valon Ademit, dy ortakëve të shoqërisë VIA, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e aeroportit të Vlorës, vijojnë të jenë të mbërthyer në beteja gjyqësore për çështjen e kuotave të aksioneve, Gjykata e Apelit vendosi këtë të enjte t’i njohë të drejtën e administrimit ortakut “2A Group”, pas një procesi të nxitur nga një marrëveshje kredie 100 milion euroshe që “Mabco” kishte firmosur me një fond investimesh guackë, “Delphos”.

E gjithë përplasja ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.

Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkon gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranon dhe bllokon veprimtarinë e “Mabcos” që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.

Por, ndërkohë në lojë shfaqet një kontratë kredie prej 100 milion eurosh që shoqëria e Pacollit kishte marrë nga fondi Delphos. Kjo bën që Ademi të hapë një tjetër çështje në gjykatë, duke kërkuar “pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut dhe të drejtës së votës, dhe nisjen e procedurës së përjashtimit të ortakut nga shoqëria”.

Pas vendimit të Shkallës së Parë, në favor të tij, për sigurimin e padisë, këtë të enjte, edhe Gjykata e Apelit, siç tregojnë mbrojtësit ligjorë të “2A Group” la në fuqi të njëjtin vendim që ia njeh kësaj shoqërie, administrimin e aeroportit të Vlorës “duke parandaluar tjetërsimin e kuotës të ortakut “2A Group” dhe mos lejimin e marrjes së administrimit të propozuar me një statut të paligjshëm, me qëllim firmosjen e kontratës me “Delphos” për tjetërsimin e aeroportit, nga përfitues të panjohur, për të cilët shtetit shqiptar nuk do të kishte juridiksion për ta kontrolluar e ngritur padi ndaj kësaj kontrate të kamufluar si kredi”, deklaruan mbrojtësit ligjor të “2A Group”.

Palët vijojnë përplasjet gjyqësore për shqyrtimin në themel, në Shkallë të parë, të dy çështjeve të hapura mes tyre.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

Vendimi për sigurimin e padisë në Shkallë të Parë që u la sot në fuqi nga Apeli