TIRANË - Zëdhënësi i Kishës Ortodokse Thoma Dhima i është përgjigjur me një shkrim të gjatë në Facebook, 12 akuzave me të cilat At Nikoll Marku tha se do t’i drejtohej Prokurorisë kundër Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
 
Dhima ironizon duke thënë se një “kirurg” i vetëshpallur i një universiteti që nuk ekziston nuk mund të mashtroje njerëzit. Zëdhënësi i Kishës Ortodokse i referohet kështu pretendimeve të At Nikolla Markut, i cili e ka shpallur veten drejtues të “Kishës Kombëtare Autoqefale Orthodhodokse të Shqipërisë”. Dhima sqaron se ky është një institucion fantazmë të cilin nuk e njeh jo vetëm kisha por as ligji. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vetmja Kishë Orthodhokse në vend”, thotë Thoma Dhima.
 
Gjatë ditës së djeshme, At Nikolla Marku i cili është prift në Kishën “Kombëtare Shqiptare Shën Mëria” në Elbasan, tha në një dalje për mediat se do të kallëzojë kryepeshkopin janullatos për 12 akuza ndaj tij, të cilat lidhen me “shkeljen e sovranitetit territorial të Republikës së Shqiëprisë, shkelje të traditës historike kishtare, ndërhyrje në historinë e Shqipërisë”.
 
At Nikolla Marku njihet si një ndër kritikuesit e Kryepeshkopit Ortodoks Anastas Janullatos.
 
Shkrimi në Facebook i Thoma Dhimës
Nëse dikush do e shpallte veten “kirurg”, apo “profesor”, të një universiteti që nuk ekziston, a do të lejohej vallë të mashtronte njerëzit dhe te "ushtronte profesionin"?
Në ditët e sotme po ndodh diçka edhe më e rëndë. Dikush deklaron se është “prift” i një Kishe që nuk ekziston, i cili jep certifikata të pavlera martese dhe pagëzimi. Por, asnjë Kishë Orthodhokse në botë nuk e njeh si të tillë. Madje nuk njihet as nga ndonjë Kishë tjetër apo konfesion i krishterë. Është e qartë se ai vazhdon të përdoret herë pas here nga qarqe ekstremiste, për sulme pseudonacionaliste dhe antiorthodhokse. Por, sado ta mbështesin këto qarqe, nuk mund të fshihet dot e vërteta se me sakrilegjet e përditshme që bën ai fyen rëndë dhe përdhos fenë e krishterë, duke e bërë atë qesharake edhe më keq se në regjimin e mëparshëm dhe mashtron në mënyrë flagrante opinionin publik. 

Jemi të detyruar të sqarojmë përsëri, se “Kisha Kombëtare Autoqefale Orthodhokse e Shqipërisë” drejtues i së cilës deklaron të jetë, nuk është veçse një fantazmë. Është inekzistente nga ana kishtare dhe ligjore. Atë nuk e njeh kush: nuk njihet as nga Komiteti Shtetëror i Kulteve të Shqipërisë, nuk është njohur nga asnjë gjykatë, nuk njihet nga asnjë Kishë në botë. Për më tepër, në mënyrë të paligjshme vazhdon të keqpërdorë ndërtesën e kishës që është monument kulture dhe të shfrytëzojë privatisht ndërtesën pranë saj, të restauruar tërësisht me fondet e Kishës, të cilat janë pronë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vetmja Kishë Orthodhokse në vend. Njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar, ka nënshkruar Marrëveshje me Qeverinë Shqiptare (firmosur nga Kryepiskopi i saj Anastasi) dhe kjo Marrëveshje është bërë ligj (nr. 10057 22.1.2009). Njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, si edhe nga ajo Katolike dhe konfesionet protestante dhe po ashtu nga organizmat ndërkristianë e ndërfetarë. 

Ne Marreveshje thuhet edhe se: “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i saj dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo individ apo çdo grupim, që kërkon të përvetësojë emrin, vendet e kultit, pasurinë kishtare, simbolet ose vulën e saj”.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)