Padi për gazetaren, ekspozoi
të shkuarën e zyrtarit të qeverisë

Padi për gazetaren, ekspozoi <br />të shkuarën e zyrtarit të qeverisë
TIRANE- Gazetarja e gazetës “Shekulli” Lindita Çela u padit penalisht në gjykatën e Tiranës nga Gjovalin Prenga, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në kryeministri, një ngjarje kjo që konsiderohet nga gazetarët si një akt presioni ndaj medias në tërësi, ushtruar nga drejtpërsëdrejti nga qeveria.

Prenga e ka ngritur padinë e tij për shpifje në bazë të nenit 102 të Kodit Penal në shkurt të këtij viti, duke pretenduar se gazetarja Çela i ka cenuar personalitetin në një shkrim të publikuar tetorin e kaluar. Neni 102 e dënon shpifjen me gjobë deri në dy vjet burg. “Padia mbart elementë qesharakë,” tha Çela dje për gazetën “Shqip”.

“Shkrimi është bërë tetorin e kaluar, por vetëm në shkurt të këtij viti, zyrtari Prenga e ka parë të arsyeshme të ngrejë padi. Kjo distancë kohore nga ngjarja te padia, më bën të mendoj se padia nuk lidhet thjeshtë me me shkrimin,” thotë Çela.

Prengës iu dha e drejta e replikës ndaj shkrimit në fjalë menjëherë pas publikimit të lajmit, ku tha se fakti që pati punuar në Ministrinë e Brendshme, nuk mund të shërbente për klasifikimin e tij si spiun i sigurimit të shtetit. Sipas Prengës, në kohën kur ai është emëruar në Ministrinë e Brendshme, dega e Sigurimit të Shtetit qe ndarë nga Ministria për të krijuar Shërbimin Informativ Kombëtar.

Spiuni në thonjëza
Në tetor 2011, Shabam Memija, në atë kohë kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, akuzoi njërin prej drejtorëve të agjencisë së tij për të shkuar të dyshimtë të lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet e fundit të komunizmit. Memija shpërndau në shumë media një dokument të nxjerrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku tregohej se drejtori Ferdinand Shehu, pati fshehur nga CV-ja e tij një periudhë 4-vjeçare, gjatë së cilës pati punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Deklarata e Memisë shoqërohej me një dokument në vitit 1992, të Ministrisë së Brendshme, me vulën “sekret” ku urdhërohej marrja në punë e 13 vetëve, mes të cilëve, edhe z. Shehu.

Gazetarja Lindita Çela e analizoi më tej këtë shkresë dhe i rezultoi se edhe dy ish-deputetë të Partisë Demokratike, sot zyrtarë të qeverisë, Gjovalin Prenga dhe Safet Sula, qenë gjithashtu emëruar për të punuar në Ministrinë e Brendshme.

Lajmi me titullin “Memia zbulon dhe “spiunët” pranë kryeministrit Berisha,” u publikua më 7 tetor 2011.


Sipas aktpadisë të dorëzuar në gjykatë nga Prenga, ky i fundit nuk hedh poshtë vërtetësinë e dokumentit dhe as të shkuarën e tij si punonjës i Ministrisë së Brendshme, por pretendon se përdorimi i fjalës “spiun” është i pavend dhe dëmtues për të.
Prenga kërkon që në rast se gjykata i jep të drejtë, vendimi i gjykatës të publikohet në mënyrë të përsëritur nga gazeta “Shekulli” dhe që kjo e fundit të paguajë ripublikimin e vendimit në pesë gazeta të tjera.

“Gazetarja ka qenë korrekte në raportimin e lajmit, pasi edhe fjalën Spiun e ka përdorur në thonjëza,” komentoi dje Andi Kananaj, avokat i qendrës Respublica, i cili ka marrë përsipër të ndihmojë mbrojtjen ligjore të gazetares Çela në Gjykatë.

JO THJESHTE NJE GJYQ PER SHPIFJE
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron padinë penale ndaj Çelës jo thjeshtë një problem cenimi imazhi për një zyrtar të qeverisë. Duke ofruar mbështetjen morale dhe materiale për gazetaren, Unioni thotë se shkrimi për të cilin Çela është paditur bazohet mbi referenca dhe dokumente të bëra publike.

“Ky proces gjyqësor në seancën e tij të dytë të zhvilluar ditën e martë, nga organizata jonë konsiderohet si një dëshmi e agresivitetit që zyrtarë të tillë të lartë manifestojnë ndaj gazetarëve për shkrimet e tyre të cilat bazohen mbi referenca dhe dokumente të afishuara publike,” tha Unioni në një njoftim për shtyp.

“Procesi i iniciuar prej zyrtarit të lartë të qeverisë ndaj gazetares Çela, shpreh më së miri shpërfilljen nga ky zyrtar të shkresës së shumëdiskutuar të kryeministrit Berisha për ndalimin e çdo nëpunësi apo zyrtari të lartë të administratës publike për hapjen e proceseve gjyqësore apo ngritjen e padive ndaj gazetarëve,” vijon më tej Unioni.

DEBATI
Padia ndaj gazetares Lindita Çela nxorri në pah një problem të rëndë: ndonëse fjala “spiun” përdoret nga të gjithë për njerëzit që bashkëpunonin ose punonin në Drejtorinë e Sigurimit të Ministrisë së Brendshme në kohën e komunizmit, Gjovalin Prenga, i cili në vitin 1992 është emëruar efektiv i Ministrisë së Brendshme, thotë se ky fakt nuk plotëson kushtet e të qenit “spiun”.
Sipas shkresës së vitit 1992, Prenga është emëruar efektiv i degës së kriminalistikës së Ministrisë së Brendshme me propozim të degës së Rrëshenit, ku punonte si kimist në kabinetin e kimisë.
Prenga thotë se koha në të cilën është emëruar efektiv në Ministri, ka qenë pas ndarjes së degës së sigurimit të tmerrshëm nga Ministria e Brendshme.
Termi “spiun” në fakt nuk është përdorur shumë formalisht. Termat zyrtar i përdorur nga sigurimi, qe “bashkëpunëtor”, “informator” etj. Termi “spiun” u përdor gjerësisht nga publiku për të etiketuar atë pjesë të shqiptarëve që përgjonin jetën e të tjerëve në mbrojtje të sundimit të partisë Komuniste. Të njëjtët bashkëpunëtorë apo efektivë, nuk merreshin vetëm me gjurmimin e aktiviteteve politikisht të dënueshme, por edhe me aktivitete kriminale të zakonshme. Nuk kishte ndonjë ndarje të qartë mes policëve të zakonshëm dhe anëtarëve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ashtu siç nuk kishte ndonjë dallim mes veprave penale të rëndomta dhe atyre me prapavijë politike.

Padia e Prengës ndaj gazetares Çela bazohet në një përkufizim të fjalës “spiun” të marrë nga fjalori shqip-shqip. Por në kontekstin në të cilin shumica e shqiptarëve e përdorin këtë term për të etiketuar zyrtarët e neveritshëm të kohës së komunizmit, ka lindur nevoja për një përkufizim të ri.

(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqip)
(sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë