Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi në lidhje me kërkesën e KLP që ai të mos legjitimohet si palë paditëse. Veliaj tha se po pretendohet se ai nuk ka të drejtën ti drejtohet gjykatës për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që i hoqi lirinë personale. Sipas tij, qytetari mund të hetohet, survejohet apo edhe t’i ndërpritet mandati, por nuk mund të kërkojë verifikimin e autoritetit që ushtron këtë pushtet ndaj tij.

“Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti. Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund tu merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë. Pra, qytetari mund t’i japë drejtësisë shpatën e pushtetit për të vepruar në emër të tij, por nuk paska të drejtë të pyesë se kush po e mban atë shpatë, me çfarë legjitimiteti e mban dhe në emër të kujt po e përdor kundër tij. Benjamin Cardozo, një nga figurat më të ndriçuese të Gjykatës Supreme amerikane, paralajmëronte se drejtësia humbet kuptimin e saj në momentin kur garancitë proceduriale reduktohen deri në pikën që qytetari mbetet i pambrojtur përballë pushtetit. Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore e kësaj çështjeje”, tha Veliaj.


Lajmi kryesor:

Padia kundër Dados/ KLP: Veliaj të moslegjitimohet si paditës! Kryebashkiaku kërkon të njihet me prapësimet, shtyhet seanca