Padia për shpifje, ja 12 "provat"
e Palokës ndaj Ramës për akuzat

Padia për shpifje, ja 12 e Palokës ndaj Ramës për akuzat">
TIRANE - Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Lartë kundër Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, i kallëzuar për shpifje, ky i fundit ka paraqitur provat që sipas tij vërtetojnë akuzat e selisë blu për lidhje të krimit me Kryeministrin Edi Rama.

Në materialet e paraqitura në Gjykatën e Lartë nga avokati i tij Ivi Kaso, deputeti demokrat Paloka konsideron si prova të mirëqëna shkrime të gazetës “55” apo edhe deklarata të ish-numrit dy të policisë së Tiranës Erzen Breçani se e ka arrestuar disa herë Emiljano Shullazin për të cilin PD pretendon se është i lidhur me krimin.  Po ashtu për Palokën provë është edhe deklarata e Dritan Priftit se Rama konsumon drogë.

Pjesë e këtyre provave është edhe deklarata e deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi, lidhur me atentatin e mundshëm ndaj tij dhe kolegut Mhill Fufi. Për selinë  blu dhe Palokën, kjo është një tregues i qartë i lidhjes së krimit nga ana e mazhorancës.

Ja provat e Palokës:
1. Thëniet e Edi Ramës kur ishte lider i opozitës, dhe pretendonte persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit.
2. Fotoja e një prej personave të pranishëm në përplasjen me armë te Rruga e Kavajës, që del nga selia e PS.
3. Deklaratat e Erzen Breçanit në lidhje me arrestimin disa herë të Shullazit dhe një nga rastet, ai i vitit 2011, ku ka shkaktuar një incident gjatë një aktiviteti të PS.
4. Deklarata e Ambasadës Amerikane, 2 mars 2015, ku përshëndet përjashtimin e Tom Doshit nga Grupi
5. Një botim i gazetës “55” në vitin 2012 në lidhje me disa përgjime të kryera nga drejtësia italiane ku dy anëtarë për llogari të “Bandës së Lushnjës”, përmendin se Rama është i lidhur me krimin.
6. Deklaratat e ish-deputetit Dritan Prifti, që etiketon Ramën si person që konsumon lëndë narkotike.
7. Deklaratat e PD për denoncimin e dënimeve të dhëna në Itali ndaj deputetit Arben Ndoka.
8. Vendimi i Gjykatës Administrative të Shullazit kundër Ministrisë së Financave për shpërblim burgimit të padrejtë, i cili nuk është ankimuar nga Ministria.
9. Denoncimi i Tom Doshit për një tentativë vrasjeje ndaj tij. Edhe pse ka qenë në dijeni, Rama nuk e ka kallëzuar.
10. Deklarata e Ministrit Tahirit, 4 mars 2015, për hetimin sipas tij të farsës, ku pranon të jetë takuar me persona të inkriminuar, të cilët nuk i ka kallëzuar, apo referuar.
11. Dokumenti policor sekret i publikuar në media, që një deputet i rëndësishëm i mazhorancës ka fshehur në automjetin e tij nga kontrolli policor një person të dyshuar si trafikant të lëndëve narkotike.
12. Rezoluta e nënshkruar në dhjetor 2014 në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit.

Këto materiale janë marrë në shqyrtim nga Gjykata e Lartë në një seancë ku si Rama ashtu edhe Paloka nuk kanë qenë prezentë duke u përfaqësuar përmes avokatëve të tyre. Akuzat ndërmjet palëve kanë nisur në lidhje me plagosjen me armë të Emiljano Shullazit, ku sipas selisë blu, ai është një person me të shkuar kriminale dhe i lidhur me qeverinë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë