Pafajësia/ Ndreu PD-së: Vratë në
Bulevard e Gërdec, s'ju skuq faqja

Pafajësia/ Ndreu PD-së: Vratë në<br />Bulevard e Gërdec, s'ju skuq faqja
TIRANË - Deputetët e mazhorancës dhe opozitës janë përfshirë në një debat të ashpër lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë që shpalli të pafajshëm dy deputetët e Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka për dhunën e ushtruar ndaj kolegut demokrat, Gent Strazimiri në korridorin e Kuvendit më korrik 2014.

Për ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli vendimi është “shkruar” nga kryeministri Edi Rama dhe është “dhënë” nga gjykatësit. Sipas saj, kjo është tentativë për t’i mbyllur gojën e opozitës, por vetë ajo nuk hyn në kategorinë e njerëzve që mbyll gojën.

Por, deputeti socialist, Erion Braçe reagoi duke thënë se katër nga pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë që dhanë vendimin për Ndreun dhe Ndokën janë votuar nga Partia Demokratike, kur kjo ishte në krye të qeverisë.

Në reagimin e tij, Pjerin Ndreu u shpreh se deputetët e opozitës mbajnë mbi supe 1 mijë zullume duke iu referuar tragjedisë së “Gërdecit” dhe vrasjes së katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sa për vendimin e Gjykatës së Lartë, ai u shpreh se, Topalli nuk ka kulturë dhe as njohuri për interpretimin e vendimit. Ndreu tha se të djathtët janë aq “të irrituar” sa që i dërgojnë mesazhe në telefon që të mos e dhunojnë më deputetin e PD-së, Gent Strazimiri pasi partia e tij do ta rrisë në përgjegjësi.

Në debat u përfshi dhe deputeti i PD-së, Genc Poll, i cili tha se pavarësisht vendimit të gjykatës, kryeministri duket të kishte marrë si masë ndëshkuese ndaj dy deputetëve përjashtimin nga grupi parlamentar ose të paktën t’i distanconte nga fushata elektorale. Kurse deputeti tjetër i PD-së, Bedri Hoxha tha se si dëshmitar okular i ngjarjes në fjalë, ai nuk është thirrur për të dyshuar.

Meta: Masa më të ashpra, hajdeni ndryshojmë rregulloren
Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrimi ka folur dhe kreu i kësaj partie, Ilir Meta, i cili la karrigen e kryetarit të Kuvendit për të zbritur në foltore. Duke folur për ngjarjen e dhunës së ushtruar ndaj deputetit të PD-së, Gent Strazimiri në ambientet e parlamentit, Meta tha se nuk ka qenë dakord me publikimin e pamjeve pasi kjo nuk është gjë e mirë për politikën.

ilir meta

Nga ana tjetër, sa i takon vendimin për shpalljen si të pafajshëm dy deputetët e PS-së, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, kreu i Kuvendit nënvizoi se nuk mund të komentoi vendimin e Gjykatës së Lartë, por shtoi se nëse kërkohen ndëshkime më të ashpra duhet ndryshuar rregullorja.

“Kam dënuar dhunën ndaj Strazimirit nga deputetë e mazhorancës, kemi vepruar në mënyrë transparente me prokurorinë. Iku koha kur ndërhyhej te serverat për të fshirë pamjet. Nuk kam qenë dakord për publikimin e pamjeve, nuk është mirë për politikën tonë”, u shpreh Meta. “Nuk komentoj vendimin e gjykatës. Nëse duhet të jetë parlamenti që duhet të marrë sanksione më të ashpra, hajdeni të ndryshojmë rregulloren”, perfundoi ai.

Debati në Kuvend:
Jozefina Topalli: Nuk hyj në kategorinë e njerëzve që mbyllin gojën... Vendimi i djeshëm i gjykatës është i padrejtë i shkruar nga kryeministri dhe i dhënën nga gjykatësit. Opozita është e ndaluar të akuzoi qeverinë. O do mbyllin gojën, o do dhunohen... Të vritemi, mbase do shpresojmë që Gjykata e Lartë do të marrë vendime të drejta.

Genc Pollo: Dhuna në parlament, e filmuar me zë dhe figurë me një video që nuk u kontestua si ajo tjetra, i shpallin agresorët të pafajshëm si njerëz që nuk kanë lidhje me çështje penale, se ndëshkimet i jep Kuvendi. Gjëja e parë që duhet të bënte kryeministri ishte përjashtimi nga grupi parlamentar. Nëse nuk kishte guxim ta bënte këtë, të paktën t’i distanconte, të mos i merrte me vete në fushatë. 

Pjerin Ndreu: Unë e di që vendimi i gjykatës i tmerron këta të opozitës. Se këta kanë vrarë njerëz në bulevard e Gërdec, e nuk i është skuqur faqja. Janë aq të irrituar sa marrin në telefon pa pikën e turpit dhe thonë aman mos i bini më se na rritet në përgjegjësi Strazimiri. Më vjen shumë keq që këta njerëz që kanë në kurrizin e vet nga 1 mijë zullume…kështu që shqiptarët mund ta shohin, ju nuk e interpretoni dot ligjërisht se nuk keni as kulturë as njohuri. 

Jozefina Topalli: Vendimi i djeshëm është vendimi më i zi që Gjykata e Lartë ka dhënë. E përsëris, ai nuk është vendim i gjykatësve është i shkuar nga kryeministri, Edi Rama dhe i lexuar nga Gjykata e Lartë. Opozita më nuk mund të ngrejë asnjë akuzë ndaj mazhorancës. Që nga ai vendim opozita vetëm duhet të heshtë, kjo përkthehet që ne nuk mund të ekzistojmë më, vetëm nëse do të na vrasin do të ndihet se ne jemi opozitë. 

Erion Braçe: 4 nga ata 5 gjyqtarë i ka votuar kjo zonja në fjalë, unë kam qenë kundër, zonja i ka votuar.

Bedri Hoxha: Kam qenë dëshmitar okular në ngjarjen që e pa gjithë Shqipëria dhe unë nuk u thirra për dëshmi. Që ne i kemi votuar ata gjyqtarë nuk ka asgjë të keqe. 

Ilir Meta: Dakord!

Bedri Hoxha: Jo dakord se kështu thoni gjithmonë ju.

Ilir Meta: Në emër të grupit të LSI-së do të flas unë dy minuta.

Redaksia Online
(f.s/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tirana rrezikon mbijetesën, pesë titullarë me 'valixhe në duar'

Tirana rrezikon mbijetesën, pesë titullarë me 'valixhe në duar'