Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, iu përgjigj Gazment Bardhit për ngërçin e pagave në sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se mazhoranca e ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në Konferencën e Kryetarëve, Balla tha se PS ka depozituar projektligjin që adreson këtë çështje, ndërsa theksoi se përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë e Parlamentit dhe jo e gjykatave.
“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera”, u shpreh Balla.
Duke iu drejtuar opozitës, Balla tha se socialistët nuk protestojnë kundër gjykatave dhe respektojnë vendimet e Kushtetueses. Ai nënvizoi se në botën demokratike përcaktimi i nivelit të pagave është kompetencë ekskluzive e Parlamentit dhe se respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve mbetet thelbësor për funksionimin e shtetit ligjor.
Lajmi kryesor:
Ngërçi për pagat e drejtësisë përplas PS e PD/ Bardhi: Gjykatat në kolaps, zbatoni vendimin e Kushtetueses! Balla: I përcakton Kuvendi







