Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se projektligji i dy deputetëve socialistë që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve do të shqyrtohet dhe do të kalojë për miratim më 17 shtator. Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Balla tha se projektligji është depozituar brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja, ndërsa theksoi se në një shtet demokratik kompetenca për përcaktimin e pagave i takon Kuvendit.

“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm 2 deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator.

Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet, jurisprudenca nuk është ekzakte. Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.

Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve... Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla.


Lajmi kryesor:

PS e PD përplasen për pagat e drejtësisë/ Bardhi: Gjykatat në kolaps, zbatoni vendimin e Kushtetueses! Balla: I cakton Kuvendi, më 17 shtator votojmë për formulën e re