Në Komisionin e Ligjeve po shqyrtohet drafti i PS-së për pagat e magjistratëve, me seanca dëgjimore me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, kundërshtoi formulën e propozuar nga socialistët, duke e cilësuar rritjen minimale dhe shumë larg përllogaritjes së bërë nga vetë Këshilli. Drafti i PS parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.
“Këshilli ka vlerësuar se, në një ndërhyrje në sistemin e pagave të magjistratëve, duhet të shihet oportuniteti për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm, jo thjesht një ndërhyrje për të përmbushur formalisht detyrimin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Në vijim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ka kaluar edhe afati i 31 korrikut, Këshilli ka diskutuar në seanca se ku duhet të jetë paga referuese.
Pavarësisht kësaj, ne ndonëse nuk jemi njohur në detaje me projektligjin që është kaluar dje nga Komisioni i Ekonomisë, në referim të atij informacioni që kemi marrë për një rritje 0.02%, pra një rritje që është minimale krahasuar me atë që ka përllogaritur vetë Këshilli, do të thoja se ka një diferencë shumë të madhe. Nuk reflekton standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe standardin që vetë referimi i pagave ka bërë për sistemin e administratës shtetërore”, u shpreh Mirela Bogdani duke theksuar vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim.
Lajmi kryesor:
Pagat e magjistratëve, thirren në komision institucionet e drejtësisë! KLP-GJL kundër formulës së PS, i bashkohet PD








