Deputeti socialist Ulsi Manja ka thënë në Kuvend se nëse projektligji për pagat e magjistratëve do të votohet sot në Kuvend, ka një korrespodencë mes Bajram Begajt dhe Kuvendit, ku Presidenti ka dhënë pëlqimin që ligji të hyjë në fuqi menjëherë.

Ndërkohë deputetët opozitarë, Gazment Bardhi dhe Tedi Blushi kanë kërkuar që ligjvënësve të opozitës t’u vendoset në dispozicion kjo korrespodencë.

Në përfundim drejtuesja e seancës, Evis Kushi, tha se korrespodenca kishte ardhur në Kuvend dhe do të fotokopjohej për t’ju shpërndarë të gjithë deputetëve.

“Ju keni kërkuar aprovimin e Presidentit të Republikës që ligji të hyjë në fuqi menjëherë dhe mesa duket Presidenti e ka kthyer këtë përgjigje që e jep këtë pëlqim. A mund t’i vihet në dispozicion korrespodenca e Presidentit dhe konfirmimi i tij deputetëve të Kuvendit? Sepse ne nuk kemi dijeni për këtë fakt, që i është kërkuar aprovimi Presidentit dhe ai e ka dhënë pëlqimin, pa parë se për kë ligj po e jep pëlqimin”, tha mes të tjerash Bardhi.

“Në fakt korrespodenca me Presidentin për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit është atribut i Kuvendit të Shqipërisë. Unë i referohem tekstit të projektligjit, ku në nenin tre thuhet se ligji duhet të hyjë në fuqi menjëherë. Nëse Presidenti e ka dhënë pëlqimin, le t’u bëhet me dije kolegëve”, tha mes të tjerash Ulsi Manja.

“Kërkoj 5 minuta pushim derisa deputeteve t’u vihet në dispozicion korrespodenca me presidentin”, tha Tedi Blushi.

“Dua t’ju njoftoj se pëlqimi nga Presidenti i Republikës ka mbërritur, do ta fotokopjojmë menjëherë dhe do u’a vendosim në dispozicion”, tha Evis Kushi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Pagat e magjistratëve, PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puç kushtetues, votojmë kundër! Malaj: Si u kërcënuan punonjësit e Thesarit nga prokurori