Për pagat e magjistratëve socialistët propozojnë që përllogaritja të kryhet me po të njejtën mënyrë si më parë, duke marrë si referencë pagën e Presidentit të Republikës, por duke ndryshuar me vetëm 0,02 pikë koeficientin e aplikuar, i cili nga 0.36 shkon në 0.38.

Të paktën ky është variant i projektligjit që mban firmën e dy deputetëve Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli. E njejta formulë sipas tyre do të duhet të zbatohet dhe për pagat e prapambetura nga prilli i vitit 2023, ndonëse vendimi i Gjykatës Kushtetues, ka një përcaktim të ndryshëm. 

Projektligji ka si datë depozitimi, 30 korrik 2026, por në faqen zyrtare të parlamentit u shfaq vetëm pasi me 3 gusht tre shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dolën me një qëndrim të përbashkët sipas të cilit, duke nisur nga 1 gushti, për ta duhet të niste përllogaritja e pagës së shtuar, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo gjykatë kishte kërkuar që parlamenti të miratonte formulën e re të përllogaritjes së pagës brenda 31 korrikut 2026, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Pavarësisht shmangies nga ky detyrim, barra financiare mbetet, dhe në çdo rast, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese përllogaritja sipas formulës së re do të duhet të nisë që me 1 gusht. 

Por më shumë se sa kur do të miratohet ndryshimi në parlament, debati pritet të jetë mbi mënyrën e llogaritjes. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese saktëson se “Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës”.

Pikërisht, duke iu referuar këtij paragrafi dy deputetët socialist, propozues, shpjegojnë në relacionin shoqërues të projektligjit, se “koeficienti 0.38 është përcaktuar si rezultat i një vlerësimi të balancuar ndërmjet nevojës për forcimin e garancive materiale të pavarësisë së magjistratëve dhe detyrimit për të respektuar parimet e proporcionalitetit, qëndrueshmërisë dhe koherencës së sistemit të pagave në sektorin publik, pasi magjistrati më i thjeshtë, në gjykatat e rrethit, barazohet në pagë me kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, ose në koeficient në masën 0.91 të pagës së presidentit”. 

Nga ana e tyre, në deklaratën e përbashkët të 3 gushtit, magjistratët pretenduan se, meqenëse, parlamenti nuk kishte miratuar formulën e re, brenda fundit të korrikut, përllogaritja do të duhej të bëhej automatikisht duke iu referuar pagës së Drejtorit në Kryeministri. 

Në fakt, përllogaritjen që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, Gjykata Kushtetuese e lidh shprehimisht vetëm me rastin e pagesave të prapambetura, “nëse nuk bëhen ndryshimet ligjore deri në datën 31.07.2026”. Nga ana tjetër, ky arsyetim i Gjykatës nuk është marrë në konsideratë nga dy deputetët propozues, sipas të cilëve, edhe pagat e prapambetura do të përllogariten me formulën e propozuar prej tyre, e cila siç shkruajnë në relacion, konsiderohet “nivel i mjaftueshëm për të përmbushur objektivin e projektligjit, pa krijuar pabarazi të pajustifikuara ose pasoja joproprocionale për financat publike”.

Çështja e pagave të magjistratëve, është shoqëruar me një përplasje të gjatë gjyqësore mes tyre dhe qeverisë. Në vitin 2023, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca, përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë.

Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100 lekë, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja.

Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë të reja.

Sipas gjyqtarëve, ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua uli pagën, pasi nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë më e lartë.

Gjykata bëri të ditur se në vlerësimin e kërkesës së Unionit të gjyqtarëve ajo kishte mbajtur parasysh përcaktimin e nenit 138 të Kushtetuetës sipas të cilit “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen”.

Dhe sipas saj “ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re e aplikuar nga qeveria në 2023, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë”.

Projektligji i dy deputetëve socialist, parashikon ndërkohë një rritje të pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, përmes rishikimit të shtesave të parashikuara për vjetërsi apo vështirësi në punë, e cila përkthehet automatikisht shoqërohet me të njejtat efekte dhe mbi pagata e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Një shtesë në pagë në masën 5 përqind, për funksionin, është propozuar dhe për Prokurorin e Përgjithshëm.

Por pavarësisht propozimit të dy deputetëve, ajo që do të thotë fjalën e fundit duket se do të jetë qeveria, duke qenë se bëhet fjalë për një ndërhyrje me efekte financiare.