Nga foltorja e Kuvendit, duke komentuar krizën me pagat e magjistratëve, kryeminsitri Edi Rama foli për një lëvizje të koordinuar mes shoqatave të gjyqtarëve dhe trupës gjyqësore. Ai e konsideroi një lëvizje shqetësuese, që sipas tij dëmton Republikën.
“Vijmë te pika tjetër. Të thuash pastaj që kishte një afat... Ndaj e thanë disa këtu që shkelja e atij afati mbart përgjegjësi të caktuar për këdo qoftë që duhet ta mbajë atë përgjegjësi, dhe hajde ta mbajmë.
Por të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara...
Në dijeninë time, gjykatësit as me njëri-tjetrin nuk flasin përpara se të marrin një vendim, sepse e kanë të ndaluar, as me njëri-tjetrin. Brenda një trupe diskutojnë, por nuk ia thonë tjetrit se si do ta vendosin në fund.
Ndërkohë, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese dhe unë mendoj që të gjithë deputetët këtu, pavarësisht se cilës palë i përkasin, nuk do ta marrin këtë me kaq lehtësi, sepse jeta vazhdon dhe të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë.”
Lajmi kryesor:
Me 84 vota pro, miratohet pr.ligji i PS për pagat e magjistratëve! Rama paralajmëron ligj të ri: Duhet të balancojmë piramidën e pagave, jemi në konsultime me Këshillin e Europës





