Pagat e nëpunësve civilë do të rriten deri në 11% brenda vitit 2025. Ky kusht është përcaktuar në dokumentin e hedhur për konsultim publik nga Këshilli i Ministrave mbi “Masat prioritare në kuadër të Reformës së Administratës Publike, 2023–2030”.
“Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2025 për pozicionet e kategorisë ekzekutive me 11-16% krahasuar me vitin 2023”, thuhet në dokumentin me objektiva të qeverisë.
Po ashtu Këshilli i Ministrave ka specifikuar që prej vitit që vjen paga mesatare mujore në administratën publike e rritur në 900 euro deri në vitin 2024, nga 530 euro aktualisht.
“Administrata publike mbetet atraktive në tregun e punës. Rritje e numrit të aplikimeve për pozicionet vakante. Raporti i pagave është rregulluar për pozicionet drejtuese për të përballuar ndryshimet në pozicionet e niveleve të larta drejtuese.
Shtesa për vjetërsi në punë është rritur për të shpërblyer përvojën për pozicionet në administratën publike.
Rritje e pagave për nëpunësit civilë në vitin 2023:
i. pozicionet e kategorisë ekzekutive nga 19-41%;
ii. pozicionet në nivelin e ulët drejtues 28-34%;
iii. pozicionet në nivelin e mesëm dhe të lartë drejtues 25-35%”,
thuhet ndër të tjera në dokumentin për “Masat prioritare në kuadër të Reformës së Administratës Publike, 2023–2030”.
Ndër të tjera në dokument theksohet se sistemet digjitale që mbështesin menaxhimin dhe shkëmbimin e informacionit në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore janë plotësisht funksionale dhe lejojnë automatizimin e liste pagesave dhe zbatimin e praktikave të mira dhe forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve të administratës publike, brenda vitit 2028.