Pagesa e babëzisë

Pagesa e babëzisë

Të 30 mijë tapitë(të quajtura ndryshe AMTP-Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, në bazë të Ligjit 7501) të dhëna në bregdet dhe të dyshuara si të parregullta ose të trukuara, janë akt-akuzat më të fuqishme të masakrës mbi 28 vjeçare që ka ndodhur me pronat e privatëve dhe të Shtetit në Shqipëri. Përfaqësojnë paradhomën e një masakre dhe përçudnimi të përbindshëm të ndodhur me të drejtën mbi pronën private dhe shtetërore tek ne.

Sidomos në 11 vitet e fundit, pas perëndimit të idesë së “duarve të pastra” në menaxhimin shtetëror, ranishtet dhe fondi pyjor në bregdet njohën sulmin e dhjetëra politikanëve, qindra prokurorëve e gjykatësve, mijëra sipërmarrësve privatë të vegjël e të mëdhenj, të interesuar për të peshkuar toka me çmime qesharake dhe bërë të tyren një pasuri që njëqindfishohej në vlerë sa hap e mbyll sytë. Dukej sikur deti ishte bërë kos dhe vrapuan të gjithë me lugë në brez pranë brigjeve të tij. Dhe për këtë u paguan nën dorë me qindra nëpunës hipotekash, të ashtuquajtur specialistë, hartografë nëpunës të shtetit apo hartografë dhe vlerësues privatë.

Masakra dhe abuzimi flagrant ka vazhduar me dekada, pa u tutur aspak, pavarësisht nga psikamat dhe ankesat e pronarëve të mirëfilltë privatë që e shihnin veten të shpronësuar si me magji, apo nga denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mbrojtja ishte disa shtresore. Abuzuesit nëpër hipoteka, kryerësit e masakrës, mbroheshin nga nëpunësit e lartë shtetërorë nëpër dikastere, sidomos në Ministrinë e Drejtësisë, e cila duhej të kontrollonte hipotekat. Mbroheshin nga titullarët politikë të ministrive të tjera të linjës, si dhe në kupolë, nga bojarët partiakë në pushtet, që mbronin sidomos me mbrojtje të drejtpërdrejtë(telefonata, dreka dhe darka, takime gjoja pune, etj.) kryetarët e bashkive dhe komunave bregdetare, mendjet sipërore dhe krye-bashkëautorët e tjetërsimit të pronave në bregdet, sidomos të pronave të Shtetit.

Në vitin 1939, sipas kadastrës së tokave bregdetare të kohës së Zogut, nga 1 mijë e dyqind kilometrat katrorë të tokave bregdetare, vetëm 3.5 përqind e tyre kishin pronarë privatë. E gjithë pjesa tjetër bregdetare ishte e pazhvilluar, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Ishte e gjitha tokë Shtet. Pas gati 80 vitesh, këto 1 mijë e 200 kilometra katrore na dalin të zëna në 70 përqind të tyre, me pronarë privatë! Kjo është batërdia e 30 mijë tapive! Kjo është babëzia e sipërmarrësve privatë të paskrupullt që, të mbrojtur nga bojarë partiakë, nga një armatë e kompaktuar gjyqtarësh, prokurorësh, policësh e nëpunësish të tjerë të Shtetit, abuzues dhe të korruptuar, tjetërsuan asetin me të vlefshëm të një vendi, TOKËN!

Të gjithë këta sot duhet të paguajnë. Pronat e blera me çmime qesharake do t’i kthehen të gjitha Shtetit, atij që i përkisnin që 80 vite më parë. Bashkëautorët e krimit dhe masakrës, ndihmuesit në përvetësimin privat, e gjithë ajo arradhë e nëpunësve të kadastrave, ish-komunave, ish-kryepleqve, sekretarëve të Komisioneve të Dhënies së tokave nëpër fshatra, që ideuan dhe firmosën këto tapi false, punonjësit, gjoja specialistët inxhinierë apo topografë të hipotekave, që i rregjistruan si toka bujqësore në dorë të privatit, të gjithë duhet të përballen me institucionin e akuzës, dhe po të vërtetohet akuza, të shkojnë aty ku drejtësia shoqërore e kërkon, prapa hekurave. Kjo është pagesa e babëzisë, e mohimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës, apo e shkeljes së të drejtës së shenjtë të pronës private.

Ky do të jetë fillimi i kthimit të drejtësisë në vendin tonë. Do të ishte pikënisja e zbatimit me sukses të reformës në drejtësi, e jo vetëm kapja në rrjetë e disa peshqve të mëdhenj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Endrit: 02/04/2018 23:04

    Nuk besoj se do Te ndodhe ndonjehere.., do kisha shume deshire ta shikoja kete ligh ne fuqi/zbatim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë