Në pamundësi për të gjetur paisjen elekronike përgjuese që SHISH pretendon se e disponon Policia e Shtetit, një prokuror dhe një oficer kanë zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, i cili ka mohuar që policia disponon dhe të ketë futur në përdorim një paisje të tillë. Sipas kryepolicit, paisja elektronike zotërohet nga misioni italian “Interforcë” në Shqipëri dhe se ajo përdoret për trajnim në Akademinë e Policisë. Burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se kanë dashur të njihen dhe të shohin këtë paisje nga afër, por vetë drejtuesit e policisë nuk kanë pranuar duke u pohuar se për të konstatuar paisjen nga afër, më parë duhet marrë miratimi i drejtuesve të misionit “Interforcë”.

Nisur nga kjo situatë, gjatë ditës së djeshme autoritet e Prokurorisë Shqiptare i janë drejtuar me një shkresë misionit “Interforcë”, mision i cili ka dhe një zyrë në godinën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke i kërkuar t’i vë në dijeni se për çfarë shërben kjo paisje elektronike, kur është sjellë në Shqipëri, cili ka qënë qëllimi i sjelljes së kësaj paisje, dhe ku mbahet kjo paisje.