Opozita nuk shkoi sot në komisionet parlamentare me formacion të plotë.

Protestat qytetare e kanë nxitur atë drejt një qasje të re, një gjysmë-bojkot duke dërguar në çdo komision vetëm një ose dy deputetë për të mbajtur qëndrimin se në kushtet e një revolte qytetare, nuk mund të ketë normalitet.

Edhe nga selia blu, Sali Berisha përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë qetësi në jetën parlamentare.

“Nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur te komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t'u larguar.  Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte. Në mbështetje dhe mbrojtje të studentëve”, theksoi Berisha.

Pavarësisht kundërshtimeve, PD në parlament nuk mund të ndalojë dot me forcën e kartonit paketën ligjore anti-dhunë që PS po përgatit tashmë. Por goditjen, synon t’ja japë në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese është një noter i Padrinos, i qeverisë. Megjithatë, ne do e dërgojmë”, tha Berisha.

Në kohën kur Edi Rama ka paralajmëruar një listë të zezë për protestuesit, edhe Sali Berisha e synon një të tillë, por për policët, që sipas tij kanë ushtruar dhunë jo-proporcionale në drejtim të demostruesve.

“Sali Berisha unë i garantoj ata se tani do publikojmë fotot dhe emrat e tyre një për një. Listën e zezë të tyre. Ata tani, provë force. Por provën e forcës me sovranin e kanë humbur gjithmonë diktatorët, nuk e fitojnë”, përfundoi Berisha.