Paketa fiskale 2022/ Braçe kundër skemës së TVSH për bujqësinë: Më vjen turp që jam në Kuvend, po godisni këtë sektor, mbani në fuqi favorizimet për birrën

Në Komisionin e Ekonomisë, ministrja Delina Ibrahimaj prezantoi paketën fiskale të vitit 2022, dhe ndryshimi i taksës së akcizës për disa produkte. Ibrahimaj tha se paketa fiskale për 2022 synon të rrisë të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit në masën 5,2 miliardë lekë. Sipas saj paketa parashikon reduktim të TVSH-së për imputet bujqësore, duke shtuar se do të ketë një garanci 1 miliard lekë për fermerët.

“Projeksioni për vitin 2022 parashikon rritjen e të ardhurave tatimore në 26,8 për qind të PBB-së. Paketa fiskale parashikon ndryshime ligjore në ligjin për Tatimin për Vlerën e shtuar, në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Qeveria që në fillimin e saj mbështeti parimin kush fiton më shumë paguan më shumë. Nëpërmjet ndryshimit të propozuar rritet paga dysheme e patatueshme, nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Përfitojnë 71 mijë e 500 qytetarë në masën 550 mln lekësh në vetë, 7800 lekë në vit për qytetar. Reduktimin e normës tatimore me 50 për qind, nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në muaj. Tatimi 23 për qind parashikohet të aplikohet për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj nga 150 që është tani. Lehtësojmë shtresën e ulët dhe të mesme.Parashikohet heqja e akcizës për lëndët djegëse për industrinë. Nga kjo skemë ka përfituar vetëm industria. Janë 11 subjekte përfituese nga kjo skemë. Efekti i parashikuar në buxhetin  e shtetit është 800 milion lekë. Ndryshime për ligjin për taksat kombëtare. Taksa 1 qind lekë për kg për importin e qumështit pluhur. Synon mbështetje e fermerëve vendas. Me vendosjen e  takës parashikohen një efekt pozitiv për të ardhurat e shtetit me 100 milion lekë në vit”, tha Ibrahimaj.

Por debate dhe kundërshti ka pasur deputeti socialist Erion Braçe, i cili tha se me heqjen e kompensimit 6% i TVSH-së për fermerët dhe rikthimin e taksës për imputet bujqësore po goditet ky sektor. Ai shprehet se u vjen turp që është pjesë e Kuvendit që godasin bujqësinë dhe mbajnë ende në fuqi favorizimet për birrën. Në akcizën e prodhuesit të birrës, është vendosur që ata deri në një sasi të caktuar prodhimi nuk paguajnë asnjë taksë.

Pjesë nga debati

Braçe: Dua të gjitha rekomandimet e FMN për të gjitha përjashtimet, dhe dua të di kriterin që keni zbatuar ju për të selektuar përjashtimet që duhet të hiqen që nga ky vit, vitin tjetër e në vijim. Kush ka qenë kriteri, sepse të godasësh një sektor siç është bujqësia, ndërkohë që shumë më tepër para, sepse e thash dje dhe vijoj ta them që më vjen turp që në këtë Kuvend, sa kohë kam i vetmi diskutim që bëhet, shtyhet deri në një farë vendi dhe më pas tërhiqet është birra, birra, që turpërohen deputetët në sallën e Kuvendit sa herë ju duhet që të ulin kokën dhe të ngrenë dorën dhe të mbajmë në fuqi atë favor që kemi dhe më shumë para sesa tek skema e TVSH-së e imputeve bujqësore a atje tek birra. Dhe meqë e kam parë dhe e kam lexuar që është në listën e FMN që të hiqet ai lloj favori që bëhet te birra, dua të di cili ka qenë kriteri që keni zbatuar??

Spaho: Po ju e dini ....

Braçe: Pse ndërhyni, ca duhet të bëj unë ta mbyll, po mirë mo po e mbyll... (largon mikrofonin)

Spaho: Thoni arsyen e vërtetë mos bëni sikur nuk e dini, duhet të thoni nuk bëhet për këtë arsye

Braçe:  Më vjen turp që jam në kuvend dhe nuk kemi miratuar heqjen e favorizimit për birrën

Në paketën fiskale 2022 Ministria e Financave ka bërë disa ndryshime në taksën e akcizës së disa produkteve mes të cilave edhe sektori i bujqësisë, ku kërkohet të hiqet kompensimi prej 6% të TVSH për të gjithë prodhuesit bujqësor si dhe për rikthimin e taksës për imputet bujqësore.

Qeveria ka vendosur të rishikojë taksat për sektorin e hidrokarbureve, mes të cilave edhe vendosjen për herë të parë të akcizës 6 lekë për çdo litër gaz që blihet nga qytetarët për ngrohje dhe gatim. Po ashtu edhe qumështi pluhur që importohet nga jashtë do të taksohet 100 lekë për kilogram.

Jahteve dhe mjeteve lundruese për argëtim që deri më tani furnizohen me karburant pa taksë, por nga 2022  do të vendoset një taksë 65 lekë për çdo litër karburanti që marrin këto mjete.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:53
Taksa për naftën e jahteve, Braçe: Ne paguajmë 110 lekë, me çfarë ligji i keni përjashtuar! Sorina Koti: Akciza për gazin rëndon xhepat e pensionistëve

Deputeti Braçe ka kërkuar sqarim nga Ministrja e Financave në komisionin e Ekonomisë edhe për vendosjen e taksës  65 lekë/ litër për naftën e jahteve, ku tha se ato do të paguajnë vetëm atë taksë apo si gjithë të tjerët. Ndërsa  zv/kryetare e komisionit të ekonomisë, Sorina Koti shprehu shqetësimin për vendosjen e akcizës 6 lekë për litër të gazit që përdoret për konsum familjar, pasi kjo do të rëndojë xhepat e pensionistëve.

Pjesë nga debati

Braçe: Keni propozuar vendosjen e një taksë për mjetet lundruese turistike për naftën. Cila është barra fiskale për këto mjete aktualisht, dua të di në bazë të kujt ligji këto mjete janë trajtuar me akcizë 0 dhe TVSH zero e kështu me radhë. Cili është ligji këtë barrë fiskale dhe kush autoritet e ka zbatuar këtë? Ne paguajmë deri në 110 lekë taksa për naftë, për makinë, motor, traktor apo zetor, mjafton të jesh jashtë skemës së bujqësisë këta do të paguajnë vetëm 65 lekë për litër apo si gjithë të tjerët", tha Braçe.

Rushaj: Na thoni si i trajton direktiva e BE, mjetet lundruese për furnizimin me naftë

Sorina Koti: Ajo që më shqetëson është vendosja e akcizës 6 lekë për litër për gazin për konsumin familjar, sidomos për pensionistët dhe ata që janë me ndihmë ekonomike. Pyetja që kam është nëse do të rimbursohet kjo shtresë që janë me ndihmë ekonomike apo pensionistët, pas rritjes së akcizës së gazit?

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet me Greqinë, Hasani: E rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duhet kujdes

Marrëdhëniet me Greqinë, Hasani: E rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duhet kujdes