Qeveria e Kosovës tha se nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar se Bashkimi Evropian ka ndërmarrë sanksione ndaj Kosovës për shkak të mosshtensionimit të situatës në veri.
“Vazhdojmë të besojmë që çfarëdo mase ndaj Kosovës do të ishte e padrejtë dhe jofer”, tha për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Ai shtoi se “është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë masa negative ndaj Kosovës”.
“[Bashkimi Evropian] në raportin e tij të fundit për vendin [Kosovën] e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë, si në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizës ligjore në përputhje me Acquis të BE-së ”, tha ai.
Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë më 13 qershor se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Ndërsa më 14 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbushë kërkesat ndërkombëtare.
“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t'i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, tha Stano gjatë një konference për media.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.
“Kosova dhe institucionet e saj krejt çka po kërkojnë dhe synojnë është respektim i Kushtetutës dhe sundim të ligjit. Këto janë vlera të Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian ka mision të veçantë në Kosovë për Sundim të Ligjit, të quajtur EULEX”, shtoi Kryeziu.
Tensionet në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë. Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe./REL