Të paktën 4 persona gjetën vdekjen dhe 20 të tjerë u plagosën të premten si pasojë e një shpërthimi në një xhami të qytetit Quetta, në jugperëndim të Pakistanit.
Siç raporton gazeta “Dawn”, shpërthimi në fjalë, i fundit në një seri sulmesh të ngjashme, ndodhi pas namazit të xhumasë në sallën kryesore të një xhamie në qytetin periferik Kuchlak, në kryeqytetin Quetta të provincës jugperëndimore të Balochistanit, duke shkaktuar vdekjen e së paku 4 vetave dhe plagosjen e 20 të tjerëve.
Zyrtarët e policisë lokale theksuan se mes viktimave është edhe imami i xhamisë, ndërsa u shprehën të shqetësuar për rëndimin e mundshëm të bilancit.
Sipas raporteve fillestare të policisë, shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë me sahat dhe asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë e sulmit.
Provinca e Balochistanit është me rëndësi strategjike për shkak të rezervave të pasura të bakrit, zinkut dhe gazit natyror.
Balochistani në përgjithësi dhe kryeqyteti Quetta në veçanti janë përballur gjatë dekadës së fundit me një valë vdekjeprurëse të dhunës sektare, me pasojë vdekjen e mbi 2.200 njerëzve.
Kjo provincë është gjithashtu ndër gjurmët kryesore të Korridorit Ekonomik Pakistan-Kinë (PCEC), një megaprojekt prej 64 miliardë dollarësh që synon të lidhë Rajonin Autonom Ujgur të Sinkiangut, provincë me rëndësi strategjike në veriperëndim të Kinës, me portin Gwadar të Balochistanit, përmes një rrjeti rrugësh, hekurudhash dhe tubacionesh për të transportuar ngarkesa, naftë dhe gaz.