Shtetet e Bashkuara dhe Irani sinjalizuan të premten se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së tyre është pranë.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u shpreh se marrëveshja pritet të nënshkruhet “brenda ditëve të ardhshme”, por theksoi se “asgjë s’është finalizuar ende.”

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar negociatat, tha se besimi i tij në arritjen e një marrëveshjeje është rritur gjatë ditës. Sipas tij, marrëveshja përmbush objektivat kryesore të Trumpit dhe i vendos negociatat “në një pozicion shumë, shumë të favorshëm.”

Ndërkohë, pak orë më vonë, Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura të SHBA-ve njoftoi se Irani ka lëshuar “disa dronë sulmues në përpjekje për të goditur anije tregtare që po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.”

Forcat amerikane “i kanë rrëzuar të gjithë gjatë orëve të fundit, ndërsa qarkullimi i anijeve nëpër ngushticë vazhdon pa pengesa. Korridori ndërkombëtar tregtar mbetet i hapur për tranzit”, thuhet në një postim në X.

Memorandumi i propozuar parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, thanë burime nga të gjitha palët e përfshira në bisedime, shkruan Reuters.

Negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, arsyeja që presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar si justifikim për nisjen e luftës, do të zhvillohen më pas.

Kushtet paraprake të marrëveshjes, të përshkruara për Reuters nga disa burime, tregojnë se SHBA-të do të fillojnë të lirojë miliarda dollarë asete iraniane të ngrira dhe të lehtësojë sanksionet ndaj eksporteve të naftës së Iranit, në këmbim të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit nga Teherani.

Programi bërthamor iranian do të trajtohej gjatë një periudhe 60-ditore negociatash. Një zyrtar amerikan tha se marrëveshja do të çonte përfundimisht në çmontimin e programit bërthamor të Iranit, ndërsa rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta do të shkatërroheshin dhe hiqeshin nga vendi. Kushtet përfshijnë gjithashtu një regjim inspektimesh për të garantuar respektimin afatgjatë të marrëveshjes.

Megjithatë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi për televizionin shtetëror se Irani, i cili sipas burimeve nuk e ka pranuar çmontimin e programit të tij bërthamor, dëshiron të mbajë uraniumin e tij në formë të holluar.

Lajm në përditësim…