Të paktën 50 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur në një shpërthim pranë një xhamie në Pakistan ku njerëzit ishin mbledhur për të festuar lindjen e Profetit Muhamed , tha policia për BBC.
Policia dyshon se bëhet fjalë për një sulm vetëvrasës gjatë tubimit fetar në qytetin Mastung.
Zyrtarët kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Të plagosurit po transportohen në dy spitale, tha policia. Asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin.
Ndryshe, muslimanët në mbarë botën festojnë ditëlindjen e Profetit A.S. duke mbajtur tubime publike.
Ndërsa festimi pranohet nga shumica e sekteve islame, disa atë e shohin si një risi të pajustifikuar.
Rajoni i Balochistanit ka qenë në të kaluarën vend i sulmeve nga grupet e armatosura. Në fillim të këtij muaji, të paktën 11 persona, duke përfshirë një udhëheqës të shquar fetar, u plagosën në një shpërthim në të njëjtin distrikt.