TIRANE- Ministri i Jashtëm Edmond Panariti raportoi sot para Komisionit të Jashtëm për paktin detar me Greqinë. I akuzuar nga opozita se ka nisur negociatat për një marrëveshje të re për kufirin detar, Panariti sqaroi tha se vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje është i prerë dhe me palen greke nuk ka negociata dhe as grupe pune por ka vetëm trajtesë teknike.

”S’ka negociata dhe as grupe negociatore për paktit detar. Zbatuam vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2010-të. Ka vetëm trajtesë teknike brenda ministrisë. Është ngritur një grup pune për të përfunduar marrëveshjen"”- raportoi Panariti në komision.

Ai sqaroi se ky grup po punon për hartimin e një marrëveshjeje të re, por deri më tani nuk ka asnjë negociatë me palën tjetër. "Ky grup po vijon punën për eventualitetin e një marrëveshje te re. Ka patur disa takime dhe me ekspertë të huaj, ndërsa punimet e grupit do i bëhen publike instancave përktëse", sqaroi ai. Në një koment të tij gjatë mbledhjes së komisionit të Jashtëm, deputeti dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha se "historia e marrëveshjes së zonave detare me Greqinë po shndërrohet në një histori tradhtarësh dhe heronjsh me ndikime të forta, që tentojnë folklorizimin e politikës së jashtme". "Politikanë dhe forca politike është tashmë e dukshme se e kanë vënë në fokus politikën e jashtme për përfitime partiake, më kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare", tha deputeti Dule

 Lidhur me presidencën e KiE, Panariti tha se “Shqipëria ka bërë përparim në kryesimin e presdiencës së KiE. Do të mbështesim samitin e Strasburgut në tetor. Panariti nuk i është përgjigjur pyetjes së Namik Dokles lidhur me ndërtimin e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë.

MBLEDHJA NISI ME DEBATE
Nisi me debate mbledhja e komisionit të Jashtëm ku ministri i Jashtëm Edmond Panariti, me kërkesë të PS-së, ndodhej për të raportuar në lidhje me trajtimin që institucioni i drejtuar prej tij i ka bërë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Marrëveshjes me Greqinë për ndarjen e ujërave territoriale.  Një tjetër pikë për të cilën Panariti dha sqarime para deputetëve të maxhorancës dhe opozitës ishte dhe ajo për detyrat dhe përgjegjësitë e qeverisë shqiptare gjatë kryesimit të Presidencës së Këshillit të Europës.

Pikërisht në këtë pikë është zhvilluar debati mes kryetarit të komisionit, Fatos Beja dhe deputetes socialiste Arta Dade. “Do e nisim mbledhjen me diskutimin par kryesimin e Këshillit të Europës”- ka thënë Beja, ndërkohë që Dade kundërshtoi rendin e ditës. “Kërkesat janë të tonat vendosim ne kush të diskutohet e para”- ka thënë Dade duke e akuzuar maxhorancën se “Ju i mbani poshtë derës kërkesat tona.”

DEBAT MES BEJES E DADES

Debatet janë përshkallëzuar dhe mes deputetes Arta Dade dhe kryetarit të komisionit të Jashtëm Fatos Beja. Dade: “Pakti detar është cështje me rëndësi për publikun. Ju kërkuat që të nxirren jashtë mediat. Ju po gënjeni për të gjitha qëndrimet. Largoni djalin tuaj nga ministria e Jashtme dhe do të jemi më të qetë. Ju duhet të shkarkoheni nga detyra. Beja: Doni të bëheni ministre e jashtme por nuk keni për tu bërë.

DEKLARATAT E KUNDERTA
Javët e fundit, kryediplomati shqiptar ka lëshuar deklarata kontradiktore në raport me rihapjen e negociatave me palën greke. Në fillim Panariti tha se në Ministrinë e Jashtme ishte ngritur grupi i punës dhe po përgatiteshin modalitetet. Kryeministri Sali Berisha mohoi diçka të tillë përpara mediave dhe më pas ministri kundërshtoi vetveten duke mohuar ekzistencën e grupeve të punës. Opozita dhe shoqëria civile e kanë akuzuar qeverinë shqiptare se ka nisur ndërkaq bisedimet për të rinegociuar paktin e ujërave në shkëlje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)