Pakti detar, Pasha: I zhgënjye

Pakti detar, Pasha: I zhgënjye
TIRANE-Fshirja nga Kuvendi në 2008 i ligjit për kufinjtë me Greqinë ka qenë një manovër e qeverisë "Berisha" një vit para se në Tiranë të firmoste paktin për ndarjen e detit me Greqinë. Koloneli në lirim, hartografi prof.dr.Myslym Pasha, thotë se negociatat e reja po i bëjnë po ata njerëz që firmosën shitjen e mbi 255 km katrorë hapësirë detare, sipas marrëveshjes në vitin 2009, zonë që tani po kërkohet me ngulm nga Greqia, sepse përmban rezerva të shumta nafte dhe gazi.
Kolonel, si e komentoni ju heqjen e ligjit për kufinjtë nga parlamenti në 2008?
Ajoqë ndodhi me problemin e kufijve detarë të Shqipërisë dhe të Greqisë në fillim u duk si diçka shumë spontane, por nga ai spontanitet që e realizoi media shqiptare, u zbuluan shumë gjëra që nuk i dinim, as ne, as media, por që i di tjetërkush. Kur ne pamë legjislacionin shqiptar për këtë problem, pamë se ishim para një boshllëku të madh, ku nuk kishte ligje për kufirin. Kjo ishte një gjë e rëndë me shumë pasoja për Shqipërinë, sepse duke mos patur asnjë ligj të brendëshëm, ti nuk kishe frikë se kush do të pengonte dhe u bë një ndarje detare, e cila dihet si përfundoi.
Ligjet e brendshme i përcaktonin qartë kufijtë detarë të Shqipërisë?
Ligjet e brendëshme, lidhur me detin, kanë një veçori, sepse përcaktojnë vetëm standarte, sa është deti territorial, sa është hapësira ekonomike ekskluzive, sa është hapësira e afërt vijimore etj. Por nga këto të gjitha ka shumë rëndësi sidomos aspekti i standartit të detit territorial, që është 12 milje. Në detin territorial janë të gjitha ligjet e kufirit tokësor dhe, po u prekën këto 12 milje, është njëlloj sikur të preket kufiri shtetëror, duke qenë se largësia midis Korfuzit dhe Shqipërisë Jug-perëndimore është shumë e afërt. Ajo është brenda detit territorial dhe, duke filluar nga ishulli Othonoi dhe gjirin e Ftelias, ne jemi përballë grekut me standartet e detit territorial, ku 1 metër po të hysh ke hyrë në hapësirën kufitare. Dhe ky është fshirë. Ato që ndodhën për ndarjen e kufijve detarë me shkëmbin Barketa, nëse ishte përdorur si pikë prej të cilit u nda kufiri aktual, kishte rëndësi për ata që ishin në negociata për ta përcaktuar. Pse? Sepse në ligjin shqiptar që është shuar thuhet tekstualisht që kufiri kalon mes për mes kanalit të Korfuzit. Kjo është një frazë, nuk ka koordinata, por ka fjalë. Këto fjalë kthehen në koordinata. Është një gjë e matshme. Dhe kjo duhet të ishte një bazë pë ata, sepse po të studiohet se çfarë ndodhi me shkëmbin Barketa do të kuptojë se sa keq na ka rënë në pjesë për detin shteti grek, ose më saktë, nuk na ka hyrë në pjesë, por ia kemi dhënë ne. Pala jonë përveçse ka fshirë ligjin, ishte e paaftë për të interpretuar ligjin për detin, ose e ka bërë e diktuar. Ishte një grup negociator naiv, me apo pa thonjëza, ajo duhet parë.
A mund të quhen naivë, ata që bëjnë fshirje ligjesh para se të ndajnë detin?
Duket sikur këto janë bërë në mënyrë spontane dhe të shkohet në negociata. Ato janë bërë në 2008 dhe po në këtë kohë u fshinë edhe ligjet. Nuk më duket se është koicidencë e rastit. Duhet kërkuar nga shqiptarët, përse nuk kemi një ligj për kufijtë dhe kur këto janë në standartet e shteteve të tjera, është një problem jo vetëm ekonomik, por edhe për dinjitetin kombëtar, sepse nuk të fal askush as një metër tokë.
Si ju duk deklarata e ministrit të jashtëm të Greqisë, Llambrinidis për riaktivizimin e paktit detar Shqipëri-Greqi të vitit 2009?
Janë disa negociata shumë të vështira, që bëhen në një moment të vështirë, që po kalon Greqia. Ajo në fakt nxiton që të ndajë detet, por e ka të vështirë, si me Shqipërinë, si me Turqinë, sepse është i njëjti problem, sepse kërkon të ndajë detin për rezervat e mëdha të naftës që ndodhen në Egje dhe në Jon. Dhe në Jon strukturat gjeologjike janë karbonatike, pra ka rezerva të mëdha të naftës dhe gazit. Greqia kërkon t'i ndajë detet, por të jeni të sigurtë, ajo nuk do të bëjë asnjë lëshim ndaj marrëveshjes të cilën ajo e ka të firmosur në tavolinën e saj. Greqia ka një marrëveshje të firmosur nga ministrat e jashtëm, në prani të kryeministrave dhe ajo ka pritur që të bëhet ratifikimi në Athinë. Mirëpo doli që Gjykata Kushtetuese, që është segment i shteti shqiptar, e hodhi poshtë. Kjo është pezull për mua, sepse mendoj se nuk ka diktuar Greqia. Ajo ka qenë e interesuar që të përfitonte sa më shumë, por shteti shqiptar, i cili ka qenë kokëulur përpara Greqisë që ka bërë lëshime të tilla të mëdha dhe ajo nuk të ka faj, sepse ka marrë firmën tënde pa të detyruar. Ajo s'mund të ulë hudën për të treguar se e kemi bërë këtë vijë gabim, ndaj na tregoni juve se ku ta bëjmë vijën, që të lëvizim ne. Greqia nuk lëviz nga vija e saj. Pala shqiptare, pra qeveria dhe kryeministri, pavarësisht se me fjalë ka thënë se ne jemi dakort me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nën të fshehur rri po ai mendim, se ata nuk kanë bërë asnjë gabim në ndarjen e detit. Ata nuk kanë bërë një komision të ri negociator, por një miks edhe me ata që kanë qenë gjatë negociatave të shkuara. Unë them se negociatat do të jenë jashtëzakonisht të vështira, ose do të luhet politika "tërhiqe e mos këput". Sepse është futur në hulli shumë të vështira. Por Greqia e ka të domosdoshme, sepse e ka në plan të bëjë kërkime në zonën që diskutohet. Ajo zonë është e shelfit, shtratdetit kontinental, që është matanë standarteve të detit shtetëror, ku shfrytëzohen pasuritë e xeherorëve që na takojnë ne. Ai ligj që është shfrytëzuar për të ndarë këto hapësira e përjashton dhe në konventa ndërkombërare nuk përdoret barazlargësia, përdoret vetëm vetëm një zgjidhje e barabartë. Rrethanat tona janë krejtësisht të ndryshme, ku ne jemi humbësit që duhet të kishim fituar. Kjo pjesë i intereson Greqisë që ta ndajë sa më shpejt.
Si ju duket qëndrimi aktual i opozitës ndaj kësaj çështjeje?
Mendoj se opozita shqiptare, në momentin e parë e kapi problemin dhe bëri ç'është e mundur që të bëntë një oponencë në Gjykatën Kushtetuese, me dy juristë të saj që dhanë një kontribut të shquar. Por kryetari i opozitës nuk është ndjerë kohët e fundit, përveç disa frazave të thëna. Sepse ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, kur përballë Greqisë, që ka një lloj peshe në KE, mund të ndodhë që ky kryetar opozite edhe të ndikohet.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë