TIRANE- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i kërkoi të mërkurën komisionit të Jashtëm parlamentar vazhdimin e seancës dëgjimore me ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti, lidhur "me ecurinë e procesit të delimitimit të shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon".

Në një letër drejtuar këtij komisioni, nënkryetarja e tij, deputetja e PS-së, Arta Dade, shpjegon se kjo është e domosdoshme, pasi, sipas saj, seanca e sotme dëgjimore u mbyll në mënyrë arbitrare.

"Në zbatim të nenit 36 dhe 80 të Rregullores së Kuvendit, në emër të opozitës kërkojmë thirrjen urgjente të ministrit të Jashtëm në një seancë dëgjimore për vazhdimin e shpjegimeve nga ana e tij lidhur me ecurinë e procesit të delimitimit të shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon", thuhet në kërkesën e opozitës.

"Nëse do të refuzohet përmbushja e kësaj kërkese në mënyrë urgjente opozita do të hedhë hapat që parasheh rregullorja e Kuvendit nisur nga misioni kryesor që ka komisioni i Jashtëm për të monitoruar punën e Ministrisë së Jashtme e në veçanti për çështje që cënojnë interesat madhore të vendit, integritetin tërësor territorial dhe për rrjedhojë kanë krijuar impakt shqetësues tek shtetasit e Republikës së Shqipërisë", thuhet në kërkesën e grupit të PS-së

(sg/atsh/shqiptarja.com)