TIRANE- Ish-kundëradmirali i Flotës Detare Kristaq Gërveni është paraqitur në prokurorinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje nga një prokuror i sektorit ushtarak. Gërveni është parë të ngjisë shkallët e prokurorisë së kryeqytetit në orët e mesditës së djeshme, ku mësohet se është paraqitur për të dhënë shpjegime lidhur me kallëzimin penal të depozituar nga minsitria e Jashtme, për çështjen shumë të dyshimtë të paktit detar me Greqinë. Ish-ushtaraku i lartë Gërveni është një nga negociatorët e kallëzuar penalisht dhe për pasojë kjo ka bërë që prokuroria ta pyesë në cilësinë e personit që ka dijeni.