GREQI- Rikthehet sërish në skenë kërkesa e Greqisë për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit detar të nënshkruar pesë vite më parë dhe të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare me argumentin se cenon Kushtetutën.

Kësaj herë çështja kthehet si një kërkesë këmbëngulëse, pikërisht në momentin kur Shqipëria ka një afat për marrjen e statusit të vendit kandidat që është qershori i këtij viti, pikërisht kur Greqia ka Presidencën e radhës të BE-s.

Kështu, dje nënkryetari i qeverisë greke, njëherësh me ministrin i Jashtëm Evangjelos Venizelos, në takimin e forumit të energjisë “Athens Energy Forum 2014”, është ndalur te marrëveshja për delimitimin e ujërave detare.

Në këtë takim, kreu i MPJ greke u përqëndrua tek objektivat e presidencës greke për energjinë, por edhe objektivat e Greqisë në përbërje të hartës energjike evropiane, ndërsa ka shprehur besimin se marrëveshja me Shqipërinë do të ratifikohet. Venizelos iu referua marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Shpresojmë që pas bisedimeve që kemi bërë me qeverinë shqiptare e në frymë miqësie e fqinjësie të mirë, marrëveshja që u nënshkrua më 2009 për delimitimin e zonave detare, shelfit kontinental e zonave ekonomike ekskluzive, do ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi, siç duam që të dy palët, gjithmonë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, me të njëjtat rregulla referimi dhe në kuadrin e gjerë të marrëdhënieve tona të shkëlqyera që e shpien Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, pas anëtarësimit në NATO”, tha Venizelos.

Ai theksoi se presidenca greke i kushton rëndësi të veçantë çështjeve të energjisë pasi ato influencojnë drejtpërdrejt dhe politikën e jashtme. Ministri Venizelos iu referua objektivave të Greqisë në “skakierën” energjetike, duke nënvizuar se vendi dëshiron një negocim unik në nivel europian, lidhur me çmimin e shitjes së gazit natyror, me qëllim arritjen e një çmimi të përbashkët, gjë që nuk do lejonte hapësira për ulje-ngritje çmimesh, si deri më sot.

Ndërkohë që më se njëherë pala shqiptare, përmes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, është shprehur se rinegocimi i marrëveshjes do të bëhet referuar vendimin të Kushtetueses sipas së drejtës ndërkombëtare. Ndërsa është diskutuar në takime për ngritjen në një nivel më të lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke futur këtu dhe zgjidhjen e problemit të toponimeve, varrezave greke dhe gjithë çështjeve të mbetura pezull.

Ndërsa kohë më parë ishte historiani shqiptar, profesor Pëllumb Xhufi ai që ka thënë se Greqia nuk njeh as kufirin tokësor me Shqipërinë. “Nuk ka një marrëveshje me Greqinë për mirëmbajtjen e shenjave kufitare dhe për shmangien e incidenteve kufitare. Këto dy marrëveshje do të shënonin njohjen “de jure” të kufirit të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913”, ka thënë Xhufi.
 
Lajmi u perditesua

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)