Pakti për zgjedhjet/ Rama-Basha grup pune për votimin e numërimin elektronik

Pakti për zgjedhjet/ Rama-Basha grup pune për votimin e numërimin elektronik

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Përtej luftës së përditshme politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një kompromis për Reformën Zgjedhore, duke adresuar kushtin kryesor të opozitës për aplikimin e votimit dhe të numërimit elektronik. Bashkëkryetari socialist i komisionit për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 22 nëntor, ka theksuar se është rënë dakord që kryeministri Edi Rama të ngrejë një grup pune me përfaqësues të Partisë Demokratike, për t’i paraprirë procesit dhe për përgatitjen e tenderit për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Bledi Çuçi ka theksuar gjatë kësaj mbledhjes se edhe projektligji i depozituar në Kuvend për ndryshimin e Kodit Zgjedhor është hartuar bashkërisht me përfaqësuesit e opozitës.

“E kemi bërë të qartë që brenda dhjetorit duhet të miratohet, ndërkohë i kemi dhënë një lloj konsensusi për të filluar dhe eksploruar me punën e teknologjisë së informacionit për votimin. Kemi rënë dakord që, Kryeministri të ngrejë një grup pune edhe me përfaqësinë e Partisë Demokratike në mënyrë që t’i paraprijmë procesit, që KQZ-ja kur të miratohet ligji dhe kur ligji të hyjë në fuqi të jetë gati për të shpallur tenderin për sistemin, e t’i ketë gati termat e referencës. Pra t’i bëjë grupi i punës që do të ngrihet nga Kryeministri. Prandaj ky është një hap pozitiv që të kapet koha. P/ligji është hartuar edhe me përfaqësinë e ekspertëve të Partisë Demokratike dhe kjo me një korrespondencë publike, e cila është e gatshme për t’u vënë në dispozicion të publikut”, ka pohuar Çuçi.

Ndërkaq, ndryshe nga qëndrimi i Çuçit, bashkëkryetari demokrat i komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka pohuar se PS po minon Reformën Zgjedhore me projektligjin e paraqitur. “Me paraqitjen e draftit të njëanshëm  të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS është të sabotojë reformën zgjedhore. Parlamenti mund të votoje vetëm amendamente që miratohen  nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërtëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi  raporti i OSBE-ODIHR në vitin 2017”, tha Bylykbashi.

Përdorimin e teknologjisë
Në lidhje me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, projektligji ngarkon KQZ-në që të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë se informacionit, për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të veçanta të procesit zgjedhor, si dhe ka të drejtë të prokurojë sisteme apo pajisje të teknologjisë së informacionit apo edhe shpërblimin e operimit të tyre. “Sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që KQZ-ja vendos të përdoren në zgjedhje duhet të synojnë, në radhë të parë identifikimin biometrik të votuesve, votimin me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike si dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura. Identifikimi, përzgjedhja dhe përdorimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit i nënshtrohen parimeve të ligjshmërisë, transparencës, gjithëpërfshirës, sigurisë, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë”, thuhet në relacionin e projektligjit. 

Testimi
Projektligji parashikon që para çdo procesi zgjedhor, sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit duhet t’i nënshtrohen testimit operacional nga KQZ-ja në seanca publike dhe me procedurë të saktë dhe të detajuar, duke përzgjedhur, me kriter rastësor për secilën zonë zgjedhore, jo më pak se tre për qind të pajisjeve që do përdoren dhe duke simuluar me to veprimet operacionale zgjedhore, për një numër jo më të vogël se 50 votues. Pas çdo procesi zgjedhor, pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe konstituimit të organeve të zgjedhura, KQZ-ja kryen, në seanca publike dhe me procedurë të detajuar verifikimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë informatike që janë përdorur për votimin dhe numërimin e votave në zgjedhje sipas modaliteteve të përcaktua.

Rezultatet e testimit parazgjedhor dhe të verifikimit paszgjedhor të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë se informacionit kushtëzojnë vendimmarrjen e KQZ-së për përdorimin në vijim të teknologjisë. Ato nuk mund të jenë bazë në vetvete dhe as nuk mund të shërbejnë qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, për ankimimin, kundërshtimin, mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve apo për anulimin, heqjen, shfuqizimin apo ndërprerjen e mandatit të fituar nga zgjedhjet për cilindo subjekt, person të interesuar apo institucion që kërkon të ndërmarrë hapa ligjore në këtë drejtim.

5 kushtet për t’u bërë komisioner në zgjedhjet lokale
Projektligji për ndryshimin e Kodit Zgjedhor parashikon për herë të parë ngritjen dhe trajnimin e një turpe zyrtarësh për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Nisma ligjore ngarkon KQZ që të zhvillojë në mënyrë të rregullt programe trajnimi për shtetasit me të drejtë vote, për kualifikimin e tyre në ushtrimin e detyrës së afetarit të Njësisë së Administrimit të Zgjedhjeve, zyrtarit të votimit dhe zyrtarit të numërimit të votave. Shtetasit me të drejtë vote pranohen ne programet e trajnimit kur gëzojnë statusin nëpunësit civil ose plotësojnë kushtet disa kushte.

Kandidatët duhet që të të zotërojnë gjuhen shqipe, të shkruar dhe të folur, të jenë në kushte shëndetësore që i lejojnë të kryejnë detyrën, të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penalë me dashje, ndaj tyre të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil që nuk është shuar sipas ligjit për nëpunësin civil si dhe të kenë mbaruar arsimin e lartë ose të jene duke e kryer atë. Programet e trajnimit si zyrtarë zgjedhorë për nëpunësit civile janë pjesë e kurrikulës së Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), janë të detyrueshme për të gjitha nivelet e nëpunësve, organizohen në bashkëpunim me KQZ-në dhe drejtohen nga struktura e KQZ-së e ngarkuar me trajnimin e zyrtarëve zgjedhorë.

Pjesëmarrësit kur përfundojnë me sukses trajnimin si zyrtarë zgjedhore pajisen nga KQZ-ja me dëshminë e zyrtarit zgjedhor dhe qartësohen si administratorë zgjedhorë. KQZ-ja mban dhe përditëson bazën e të dhënave të zyrtarëve zgjedhore, e cila përveç të dhënave identifikuese, përmban të dhëna të detajuara për moshën, gjininë, adresën e banimit, të vendit të punës dhe mënyrën e kontaktit, si dhe të dhëna të detajuara për kurset dhe ecurinë e trajnimeve për secilin prej tyre, historikun e angazhimit në proceset zgjedhore, detyrat e kryera dhe ecurinë në ushtrimin e tyre.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë