Pala e akuzuar nga Veliaj, pra Ols Dado, dëshiron që gjykata të mos shqyrtojë pretendimin e tij në themel, thotë kryebashkiaku i Tiranës para trupit gjyqësor. Ai shton se sipas pretendimit të palës së paditur, s’mundet t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që i hoqi lirinë.
Këtu ai ngre pyetjen se cili është legjitimiteti me të cilin po ushtrohet pushteti mbi të që e vendosi nën përgjim dhe hyri në çdo cep të jetës së tij.
“Edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj. Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural. Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe 3 të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale. Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkinë dhe mbi këtë qytet”? Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh i kësaj çështjeje”, tha Veliaj.
Lajmi kryesor:
Padia kundër Dados/ KLP: Veliaj të moslegjitimohet si paditës! Kryebashkiaku kërkon të njihet me prapësimet, shtyhet seanca









