Ashtu sikurse edhe ishte diskutuar më parë, Parku i Pallatit të Brigadave ka hapur sot dyert e parkut për herë të parë për qytetarët. Një nga monumentet e historisë dhe peizazhit urban i kthehet publikut si një nga pikat më të rëndësishme të atraksionit ambiental, historik, monumental dhe turistik të Tiranës.

Hapja  e tij u bë në orën 11:00 dhe ishin të shumtë njerëzit që e vizituan atë duk mos kursyer komentet pozitive dhe impresionizmin. Pallati është jo vetëm një nga parqet më të mëdha, por është unikal me gjelbërim ekzotik dhe konsiderohet nga realizimet më të mira dhe të arritura në vendin tone për nga arkitektura e mjedisit.

Ish-punonjësja e Pallatit të Brigadave, Ervefe Sahusllari, e cila ka punuar aty deri në vitin 1963, tregon me emocion kthimin pas 54 vitesh aty.

“Këtu kam punuar dhe kam nostalgji për këtë. M’u mbushën sytë me lot kur e pashë, se kisha vite pa e parë. Më pëlqeu shumë. Zona që më pëlqen më shumë, kryesorja këtu, sheshi matanë. Pallati rreth e qark, ndjeva shumë mall për të. Sikur të kisha të futesha brenda dhe të shikoja dhe njëherë ato dhoma, që i kam pastruar me aq dashuri e pasion”, thotë ajo.

Mendimet e disa vizitorëve:
Vizitor 1: Më duket diçka shumë interesante. Është vërtet shumë bukur, të paktën për njerëzit që nuk kanë pasur mundësi ta shohin, për mua domethënë, më pëlqen jashtë mase shumë.

Vizitor 2: Shumë i bukur. Më pëlqyer lulet dhe pemët.

Vizitor 3: Më duket ide shumë e mirë që dhe publiku të ketë mundësi të shohë gjithë arritjet që janë bërë nga arkitektët e huaj.

Vizitor 4: Para disa vitesh që të vije këtu duheshin shumë leje, kujtoj që duheshin letra nga Ministria e Brendshme dhe shumë gjëra të tjera, ndërkohë tani mund të futemi lirshëm.  

Parku do të jetë hapur për publikun pa pagesë çdo fundjavë nga ora 09:00-16:00 në muajt Tetor-Prill dhe ora 09:00-20:00 në muajt Maj-Shtator. 

[gallery]24260[/gallery]


Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com