SHKODER- Sërish probleme për parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Pasditen e së enjtes, janë konstatuar ngritje të parketit në pjesën e mesit të fushës, e kjo madje e ka bërë të pamundur stërvitjen e ekipeve të basketbollit dhe të volejbollit.
 
Një rikthim i problemeve të këtij parketi, ka detyruar drejtuesit e klubit shumësportësh “Vllaznia” të thërrasin sërish punonjësit e firmës që ka shtruar parketin.
 
Madje, drejtuesit e kësaj të fundit duke parë që problemi ishte sërish shumë serioz, kanë thirrur nga Tirana dy specialistë të punimit të drurit të cilët kanë nisur menjëherë punën për të riparuar problemin e shfaqur.
 
Ende nuk dihet nëse ata do të arrijnë ta përfundojnë në kohë sepse ditën e shtunë janë planifikuar të luhen tre ndeshje të kampionateve kombëtare të basketbollit dhe volejbollit.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)