/ATSH- I. Vata/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka akuzoi sot qeverinë dhe Policinë e Shtetit se po favorizojnë bandat e armatosura dhe krerët e bandave.

"Oficeri i policisë është në shërbim të bandës, anëtari i bandës hyn dhe del nga zyra qëndrore e Partisë Socialiste. Të gjithë strukturat e policisë ishin dje në shërbim të kreut të bandës, nga shërbimet spitalore dhe deri te shoqërimi i tij me polici për në banesë. Ka të dhëna që policia ka kryer kontrolle në banesat e biznesmenëve të cilët janë gjobitur nga banda kriminale. ", tha Paloka.

Sipas tij "dje pati dizinformim të vazhdueshëm dhe mungesë transparence në shërbim të bandave". "Këto ngjarje të rënda kanë ndodhur në 24 orët e fundit dhe kanë tronditur opinionin publik dhe mbarë qytetarët e vendit dhe qeveria hesht! Asnjë fjalë, asnjë reagim", u shpreh Paloka.