Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në një deklaratë për mediat reagoi mbi ristrukturimin e Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Edi Paloka iu referua përcaktimit si përgjegjës për Qarkun e Vlorës, deputeti Koço Kokëdhima.
 
“Edi Rama e pranoi zyrtarisht dhe publikisht se Beu i Jugut është Koço Kokëdhima. De facto, Kokëdhima ka qene deri me sot  kryeministri i të gjithë aksit Lushnje-Fier-Vlorë-Sarandë. Ai vendos për gjithçka, për çdo tender, privatizim, e punësim. Por dje ai është  shpallur edhe “de jure” nga Edi Rama si padron i Jugut. Dje  nën justifikimin e një organizimi të ri të PS, Kokëdhimës i është shtuar nën zotërim edhe qarku i Gjirokastrës”, tha Paloka.
 
Kreu i grupit demokrat sulmoi deputetin e PS-së duke thënë se ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde publike. “Janë me dhjetra ankesat e denoncimet e përditshme të qytetarëve për Koço Kokëdhimën. Janë me mijëra ankesat e denoncimet të vetë socialistëve të tradhëtuar nga deputeti i tyre dhe nga mënyra se si e ushtron ai pushtetin. E megjithatë, Edi Rama e shpalli me ceremoni dhe e kurorëzoi Koçon si beun e Jugut”, përfundoi Paloka.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)