Bypassi i Vlorës pritet të hapet përfundimisht këtë sezon turistik. Vitin e kaluar, më 15 korrik bypass i Vlorës u hap në mënyrë provizore vetëm për sezonin turistik ndërsa këtë sezon do të përfundojnë punimet duke e bërë të aksesueshëm aksin dhe të gjithë qytetarët që kanë destinacion jugun do të kalojnë nga bypassi i ri duke nisur nga vera e këtij viti. Në pamjet e publikuara duket se si po vijon procesi i punimeve për të bërë të mundur lehtësimin e trafikut përgjatë sezonit veror kur ka fluks të automjeteve. 

"Mirëmëngjes dhe me Bypass-in e Vlorës që pritet të hapet këtë sezon turistik, si një segment i rëndësishëm për qarkullimin e automjeteve, lehtësimin e trafikut dhe për zhvillimin turistik të qytetit bregdetar, ju uroj një ditë të mbarë", tha Rama.

Bypassi i Vlorës, pritet që të lehtësoje ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe të ulë trafikun përgjatë sezonit turistik. Kjo vepër infrastrukturore me një gjatësi 29 kilometra nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë dhe përfundon në lindje të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë. Në projekt është parashikuar ndërtimi i 5 urave, një gjysmë tunel si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat. Rruga e re vlerësohet si një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.