Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga puna për restaurimin dhe rijetëzimin e Manastirit të Kryeengjëjve në Derviçan të Gjirokastrës, të cilin e cilëson një thesar të çmuar të Dropullit dhe pjesë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të zonës.
Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan, do t'i nënshtrohet restaurimit pas vitesh degradimi dhe mungese mirëmbajtjeje. Projekti synon jo vetëm shpëtimin e strukturave historike, por edhe rikthimin në funksion të një kompleksi që përbën një nga dëshmitë më të rëndësishme të arkitekturës pasbizantine në luginën e Drinos.
“Mirëmëngjesi dhe me punën për rilindjen e Manastirit të Kryengjëjve në Derviçan, një thesar i çmuar i Dropullit dhe një ndër 15 manastiret që dëshmojnë pasurinë e rrallë shpirtërore e kulturore të Qarkut të Gjirokastrës, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Ndërhyrja do të zhvillohet në dy faza dhe do të përfshijë restaurimin e konakëve lindorë dhe perëndimorë, konsolidimin e mureve prej guri, rindërtimin e çative tradicionale me rrasa guri, restaurimin e elementeve prej druri, si edhe rikthimin e hapësirave sipas dokumentacionit historik dhe gjurmëve të ruajtura në terren.
Projekti nis në një moment të rëndësishëm për monumentin, pasi Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve është shpallur së fundmi Pasuri Kulturore me statusin "Monument Kulture", Kategoria I, së bashku me zonën e saj mbrojtëse.
I vendosur në shpatet e Malit të Gjerë, mbi fshatin Derviçan të Gjirokastrës, Manastiri i Kryeengjëjve mendohet se është ndërtuar në shekullin XVIII. Kompleksi përbëhet nga kisha dhe konakët që e rrethojnë dhe konsiderohet një prej monumenteve që dëshmojnë zhvillimin dhe larminë e arkitekturës pasbizantine në jug të Shqipërisë.
Kjo nismë vjen në një moment të rëndësishëm për monumentin, pasi Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve është shpallur së fundmi Pasuri Kulturore me statusin “Monument Kulture”, Kategoria I, së bashku me zonën e saj mbrojtëse, duke njohur dhe forcuar vlerat e saj të jashtëzakonshme historike, arkitekturore dhe shpirtërore.








Komente
Komento