Pretendimet për mbylljen e 200 profileve në Instagram të lidhura me aktivistë dhe mbështetës të protestave kundër qeverisë kanë shkaktuar një debat publik në rrjetin social X mes kryeministrit Edi Rama dhe grupimit European Democrats. Shkëmbimi i replikave nisi pasi grupimi politik europian kërkoi transparencë për raportimet mbi mbylljen e llogarive, ndërsa Rama mohoi kategorikisht çdo përfshirje të qeverisë shqiptare dhe e cilësoi postimin e tyre që shoqërohej me fotografinë e tij, një "insinuatë vizuale të turpshme".
Gjithçka nisi pasi në këtë rrjet u përhapën pretendime se rreth 200 llogari të aktivistëve dhe mbështetësve të lëvizjes "Flamingo" ishin kufizuar ose çaktivizuar.

Çështja u nxit më tej nga European Democrats, partia politike europiane ku bëjnë pjesë disa parti opozitare nga vende të BE-së dhe që në Parlamentin Europian mban qëndrime të shpeshta për zhvillimet politike në vendet kandidate, e cila në një reagim publik në rrjetin X me një postim ku dukej fytyra e kryeministrit Rama tha se po kërkonte transparencë për rastin.
“Dje, protestues dhe grupe aktivistësh në Shqipëri raportuan se rreth 200 profile në Instagram, të lidhura me persona që morën pjesë në protesta dhe i dokumentuan ato, u çaktivizuan ose u kufizuan. Këto pretendime kërkojnë përgjigje të menjëhershme nga qeveria e Edi Ramës dhe autoritetet shqiptare. Liria e shprehjes dhe kundërshtimi politik janë të drejta themelore demokratike. Një vend që ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të mbrojë çdo zë kritik paqësor”, shkruhej në faqen e European Democrats të enjten.
Reagimi solli kundërpërgjigjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, i cili mohoi kategorikisht çdo përfshirje të qeverisë shqiptare por edhe e quajti grupimin në fjalë ‘agjitatorë’ duke i akuzuar për përhapje insinuatash dashakeqe.

“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërsa publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme? Kam jetuar me akuzat dhe përpjekjet për të më turpëruar nga kundërshtarët e mi gjatë gjithë kohës që kam qenë në politikë. Por kur kjo formë kaq e ulët propagande vjen nga njerëz që paraqiten si demokratë evropianë, është vërtet për të ardhur keq. Po sikur e gjithë kjo të vijë nga të njëjtat burime keqdashëse që ushqyen të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, shumë prej të cilave ushqyen edhe kaosin në Ceuta? Pse? Shumë e thjeshtë: për t’i dhënë jetë sërish një “revolucioni” që tashmë ka humbur vrullin. A nuk ka kuptim kjo? Sigurisht që ka. Por mesa duket jo për këta demokratë vetëm në emër. Prandaj dua të jem krejt i qartë: ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk kemi aftësinë teknike për të kryer një veprim të tillë. Turp për gjithë këtë grup dështakësh që përhapin marrëzira të tilla”, shkroi Rama në X.
Një mesazh e pati edhe për ndjekësit e tij në gjuhën shqipe.
“Kurse kujtdo që flet shqip dhe shpërndan nëpër kanalet sociale dozën e helmit të radhës, kësaj radhe për këtë censurën e sofistikuar të profileve, i them se në qoftë e vërtetë kjo punë, jo vetëm regjimi im diktatorial që nuk ka ndaluar asnjë lloj proteste dhe ka përballuar me buzëqeshje tërë lumenjtë e sharjeve me libër shtëpie poshtë dritares, s’ka asnjë lidhje në këtë mes, por për më tepër, as ky shtet dhe as shumica dërmuese e shteteve të këtij planeti, nuk kanë asnjë kapacitet që ta bëjnë një gjë të tillë. Tani akuzat pa prova dhe sharjet pa hesap janë bërë bukë e djathë, po jo deri kaq larg fantazia them unë, pa ju e dini vetë se deri sa larg e çoni”, shkroi Rama.
Grupimi i Demokratëve Europianë u përgjigj duke mohuar se kishte fajësuar qeverinë shqiptare për mbylljen e profileve në Instagram dhe se, postimi i publikuar nuk synonte të akuzonte Tiranën si përgjegjëse për pezullimin e llogarive, por të kërkonte transparencë nga kompania Meta dhe nga Komisioni Europian për raportimet që kishin qarkulluar.

“Fyerjet nuk u japin përgjigje pyetjeve. Dhe ndoshta duhet ta lexoni edhe një herë atë që kemi shkruar, përpara se të na sulmoni. Ne nuk kemi pretenduar kurrë se qeveria juaj ishte përgjegjëse për pezullimin e këtyre llogarive. Përkundrazi, e mirëpresim mohimin tuaj kategorik. Ne thjesht i kërkuam Meta-s transparencë dhe Komisionit Evropian të shqyrtojë këtë rast. Fakti që dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve u kufizuan ose u çaktivizuan në të njëjtën kohë është, në vetvete, një çështje legjitime shqetësimi. Në një demokraci, të bësh pyetje nuk është “agjitacion”. Dhe demokratët evropianë do të mbrojnë gjithmonë pluralizmin politik dhe lirinë e shprehjes, në Shqipëri dhe kudo tjetër. Sandro Gozi, Sekretar i Përgjithshëm i EDP-së. P.S. Sa i përket Ceutës, ne ishim ndër të parët dhe ndër të paktët që thamë qartë se ajo që po ndodhte nuk ishte spontane dhe se pas saj vepronin forca të organizuara. Prandaj, zoti Kryeministër, përpara se të na jepni leksione për dezinformimin, ndoshta duhet të verifikoni faktet” shkruhej në postimin e tyre.
Por kryeministri nuk e la me kaq.

Pak minuta më vonë ai reagoi sërish në X, duke këmbëngulur se kundërshtimi i tij nuk kishte të bënte me kërkesën për transparencë, por me mënyrën se si European Democrats e kishin paraqitur vizualisht çështjen në postimin e tyre, që sipas tij linte të kuptohej se qeveria shqiptare ishte përgjegjëse për mbylljen e profileve.
“Jo, kjo është një tjetër nivel i ulët. Ajo që e dënova ishte insinuata juaj vizuale e turpshme dhe fakti që refuzoni t’i përgjigjeni kësaj tregon saktësisht se çfarë lloj demokratësh jeni. Për të ardhur keq" tha Rama, duke dhënë një përgjigje në të njëjtën kohë edhe akuzave për censurë të artikuluara të njëjtën ditë edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.








Komente
Komento