Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka rikthyer sot për besimtarët ortodoksë një copëz historie nga viti i largët 1965. Me rastin e festës së Pashkës Ortodokse, ky institucion ka publikuar pamje të rralla nga shenjtërimi i kishës së “Ungjillëzimit të Hyjlindëses” në Tiranë, një ngjarje që daton më 21 mars të vitit 1965.
Bëhet fjalë për ceremoninë e zhvilluar në zonën e Rrugës së Kavajës, ku në atë kohë morën pjesë figura të larta të klerit ortodoks. Në krye ishte Kryepeshkopi Paisi, së bashku me Mitropolitin e Gjirokastrës Damjanin, Mitropolitin e Beratit Qirillin dhe Episkopin Stefan Lasko, i cili kishte ardhur posaçërisht nga SHBA për këtë meshë.
Pamjet tregojnë besimtarët teksa, të udhëhequr nga klerikët, zhvillojnë tre lutje para se të futen në kishë, ku më pas u mbajt shërbesa e shenjtërimit.
Kisha ishte projektuar nga inxhinieri Skënder Luarasi dhe u ndërtua nga ndërmarrja “21 Dhjetori”, me financim shtetëror. Ajo u ngrit si kompensim për një kishë më të vjetër me të njëjtin emër, e cila u prish për shkak të planit rregullues të qytetit, në vendin ku më pas u ndërtua hoteli 15-katësh.
Guri i themelit të saj ishte vendosur më 17 shkurt 1963, thotë AQSHF. Por historia e kësaj kishe nuk ishte e gjatë: në vitin 1967, si shumë objekte të tjera fetare në vend, ajo u mbyll dhe u kthye në palestër.
Rihapja erdhi vetëm pas ndryshimeve politike. Më 4 mars 1991, kisha e “Ungjillëzimit” u rikthye sërish për besimtarët, falë përpjekjeve të disa prej pararendësve të komunitetit, Spiro Findiku, Nasi Hobdari dhe Llazar Pjeshkazini.
Komente











