TIRANË- Një video e publikuar, tregon momentet e fundit të Lear Kurtit. Pamjet tregojnë qartë që policia nuk e ka vrarë të riun, por kanë vonuar dërgimin e tij në spital. 

Duket që policia e ka ndaluar dhe 32-vjeçari është ndjerë keq në trotuar, mirëpo efektivët nuk e kanë dërguar menjëherë në spital, por në Komisariat ku gjendja e tij u përkeqësua.

Nisur nga kjo, më herët kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat, e ndërsa ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë duke konfirmuar se në stomakun e Lear Kurtit është gjetur qese me gjurmë kokaine. 

Prokuroria thotë se hetimet do të zhvillohen për 'veprime arbitrare', nëse ka pasur apo nga ana e policisë, apo edhe për 'mosdhënie ndihme', nëse ka pasur apo jo nga stafi mjekësor i Spitalit të Traumës. Hetimi ka nisur mbi bazën e referimit nga ana e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë (AMP).

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë.