Pas gati 6 vitesh në proces likuidimi, ndërmarrja shtetërore ‘Albkontroll Durrës’ do të ‘kyçet’ përfundimisht.

E krijuar për kontrollin sasior dhe cilësor të mallrave të eksport-importit, marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave kimiko-fizike apo edhe kontrollin depove të magazinimit, prej kohësh jo funksionale, me projektligjin e ri të qeverisë nuk do të ekzistojë më.  

Me projektligjin e posaçëm të hedhur në konsultim publik, qeveria parashikon mbylljen e të gjitha ndërmarrjeve tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind që prej vitesh janë në proces likuidimi, dhe kalimin e çdo pasurie apo detyrimi të tyre tek “Operatori i Shoqërive Shtetërore” që do të krijohet.

Albkontrolli i Durrësit ndodhet në një pozicion shumë lakmues, fare pranë portit detar, pranë bulevardit kryesor që përfundon me Velierën dhe vetëm 200 m larg shëtitores në bregdet.

Ndryshe nga shumë ndërmarrje apo uzina që ekzistojnë vetëm në letër, në këtë godinë 5-katëshe prej vitit 2004 aty është vendosur Shërbimi Informativ i Shtetit, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite, i rikthyer pas një transferimi të përkohshëm në zonën e Plepave.

Gjithashtu Uzinat e graduara të Superfosfatit të Laçit do të administrohen nga ky operator. Dikur krenaria e Kurbinit, sot vetëm një uzinë e amortizuar, në të cilën ende gërmohet për skrap, duke u rrezikuar jeta e banorëve. Edhe kjo uzinë e përuruar më 1967, gjatë regjimit komunist do të mbyllet përfundimisht.

Vetëm rrënojat i kanë mbetur edhe ish uzinës së fermentimit të duhanit në Shkodër, e krijuar në vitin 1996. Ndërmarrja Duhan-Cigare me 42 mijë metër katror truall dhe mbi 25 mijë metër ndërtim, që shërbente për grumbullim, përpunim, prodhim dhe tregtim duhani, është kthyer në gërmadhë sa rrezikon edhe jetën e njerëzve.

Ndërsa një pjesë e ish-ndërmarrjeve që janë në Tiranë si Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., ekzistojnë vetëm në letër pa funksion, emri i të cilave gjendet vetëm nëpër tabela apartamentesh.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit thotë se janë më dhjetëra ndërmarrje që do të ‘kyçen’ pasi një pjesë e tyre ka më shumë se 20 vite në proces likuidimi.

Këto shoqëri edhe pse kanë shumë detyrime dhe prej vitesh janë nën likuidim, nga ana tjetër kanë shumë pasuri si portofol si troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare. Ndaj këto pasuri do të kalojnë nën administrimin e “Operatorit Shtetëror”, i cili do të ketë të drejtë t’i shesë ose t’i japë për privatizim sipas legjislacionit në fuqi me qëllim shlyerjen e kreditorëve.