Pamjet/Ja si u krye atentati te 
Kom.Parisit, pranga 4 autorëve

Pamjet/Ja si u krye atentati te <br />Kom.Parisit, pranga 4 autorëve
Arrestohen 4 autorët e atentatit ndaj Lorenc Hoxhës tre ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
 
Në pranga kanë rënë Dejvis Rustemaj, Klajdi Kodra, Igler Qose dhe Ardit Xheferri. Autorët janë arrestuar në gjumë teksa fshiheshin me identitet të rremë në një hotel në Vlorë.
  
Të rinjtë sipas burimeve për Report Tv fshiheshin në Vlorë të ndihmuar dhe nga disa të afërm të tyre dhe kanë qëndruar në banesa private dhe në hotel duke u regjistruar me identitete të rreme.
 
Ata janë sjellë në Tiranë dhe pritet që ditën e martë të dalin para gjykatës ku do të njihen me masën e sigurisë dhe kërkesën e prokurorisë e cila ka caktuar ndaj tyre arrest me burg.
 
Publikohen pamje te reja ku duken 4 të rinjtë,  mes tyre atentatori Dejvis Rustemaj që i afrohet mjetit të Lorenc Hoxhës, hap derën e makinës dhe e qëllon me armë zjarri, ndërsa ky i fundit manovron me shpejtësi duke u larguar. 

E pa sqaruar nga policia mbetet se si të rinjtë mundën të largoheshin drejt Vlorës me të njëjtin automjet dhe pse në hyrje daljet e Tiranës apo policive të qarqeve u ishte dhënë përshkrimi automjetit AA 055 MO dhe modeli BMW ngjyrë e zezë fuoristrad.
 
Sherri mes dy grupeve, Rustemaj dhunoi Hoxhën dhe vëllanë e tij
Shkak i konfliktit sipas hetimeve mes dy grupeve rivale ka qenë një përplasje fizike që ata kanë pasur 2 ditë para atentatit tek sheshi “Nënë Tereza” pranë universitetit pas xhirimit të gomave, ku Dejvis Rustemaj ka dhunuar fizikisht Lorenc Hoxhën dhe vëllain e tij.
 
Në ngjarjen e ndodhur në kryqëzimin e komunës së Parisit sipas policisë u përdorën dy armë dhe ndërmjet të rinjve u shkëmbe zjarr, ndërsa në përfundim të operacionit “poker” asnjë nga armët e krimit nuk është gjendur.
 
Lorenc Hoxha është tashmë jashtë rrezikut për jetën dhe në deklarimet e tij ai ka shpjeguar për hetuesit edhe konfliktin që kishte me Rustemaj.
 
Gjatë arrestimit të rinjtë mësohet se nuk kanë bërë rezistencë ndërsa atyre u është sekuestruar mjeti BMW X5 si dhe tre aparate celularë.

Autori i atentatit me precedent, i shpëtoi vrasjes para 3 muajve
Autori i atentatit ndaj Lorenc Hoxhës, Dejvis Rrustemaj është një emër i njohur për Policinë e Tiranës, pasi para 3 muajve i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri në kryeqytet pranë një xhamie, në rrugën “Xhanfize Koko”, pranë Kinostudios.
 
Ai u qëllua me armë zjarri nga dy persona që po lëviznin me motor, por arriti që të shpëtonte, pasi plumbat e kapën në këmbë.
 
Dejvis Rrustemaj nga Tropoja, banues në Tiranë ka gënjyer punonjësin e policisë në spital duke dhënë emër dhe moshë tjetër pas atentatit që iu bë, ndërsa ka qenë i dënuar për “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, “Kanosje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”.

Bashkëpunëtori, djali i nënkampiones së qitjes, ka plagosur 4 vetë
Përpos autorit edhe bashkëpunëtori i atentatorit Klajdi Kodra është me precedent penal për 4 plagosje me armë zjarri dhe vepra të tjera penale.
 
Klajdi Kodra, djali i nënkampiones së qitjes Lindita Kodra, u arrestua për bashkëpunim në atentatin ndaj Lorenc Hoxhës, të cilin e qëlloi me armë zjarri Dejvis Rrustemaj.
 
Klajdi Kodra në 8 tetor 2013 iu bë një atentat, por shpëtoi, në 3 gusht 2016 tentoi që të vriste Flamur Cullhajn, është arrestuar në 14 shtator 2016 për goditje të policit dhe armëmbajtje, ndërsa në dosjen e tij janë edhe disa vepra të tjera për të cilat është dënuar. 
lorenc hoxha
I plagosuri Lorenc Hoxha, atentatori Dejvis Rrustemaj dhe bashkëpunëtori Klajdi Kodra

VIDEO/Pamjet e atentatit te "Komuna e Parisit"
Report Tv siguroi videon e atentatit në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë, ku mbeti i plagosur me një plumb në shpatull Lorenc Hoxha.
 
Dy persona zbresin nga një automjet tip BMW ngjyrë e zezë dhe pak sekonda më pas dëgjohen të shtënat me armë.
 
Turisti filmon atentatin, "Far West" në semafor
E gjithë skena është filmuar nga një turist gjerman i cili ka qenë duke udhëtuar me një "AMG". Ai ia ka dorëzuar pamjet policisë, çka solli më pas edhe arrestimin e autorëve në Vlorë.
 
Nga ngjarja mbeti i plagosur Lorenc Hoxha me origjinë nga Bulqiza i cili udhëtonte më një automjet tip "Benz" ngjyrë e bardhë.
 
Pasi qëllojnë në drejtim të "Benzit", autorët largohen në rrugica. Përplasjet me armë kanë vijuar edhe më tej deri te plagosja e Hoxhës pranë "Unazës së Madhe". 

Njoftimi i plotë i Policisë
Arrestohet ekzekutori i tentativës së vrasjes së shtetsit Mariglen ( Lorenc ) Hoxha dhe 3 bashkëpunëtorët e tij.
 
Sekuestrohet një mjet dhe disa aparate celularë.
 
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në sajë të një hetimi të mirëfilltë disa ditor, me metoda speciale të hetimit bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të tentativës së vrasjes të ndodhur më datën 03.08.2017 në rrugën "Sulejman Delvina" te Komuna e Parisit, Tiranë.
 
Falë këtyre veprimeve të shpejta e profesionale u bë e mundur lokalizimi i personave të përfshirë në këtë ngjarje.
 
Mbi bazën e punës dhe provave të grumbulluara, Sektori Kundër krimeve të Rënda ndaj jetës në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, organizuan dhe zjvilluan operacionin policor të koduar "Poker", ku u bë arrestimi i shtetasve të mëposhtëm, të cilët fshiheshin në qytetin e Vlorës dhe konkretisht :
 
- Dejvis Rrustemaj,( në rolin e ekzekutorit ), 27 vjeç, banues në Tiranë.
 
- Klajdi Kodra, ( në rolin e bashkëpuntorit ), 27 vjeç, banues në Tiranë.
 
- Igler Qose, ( në rolin e bashkëpunëtorit) 26 vjeç, banues në Bulqizë.
 
- Ardit Xheferri, ( përkrahës i autorit të krimit), 31 vjeç, banues në Tiranë.
 
Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë i mundur pasi:
 
Më datë datë 03.08.2017, rreth orës 19:40, në rrugën "Sulejman Delvina", shtetasi Dejvis Rrustemaj, duke lëvizur me mjetin tip "BMË X5", së bashku me shtetasit Klajdi Kodra, dhe Igler Qose, për shkak të një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip "Benz", ku ka mbetur i plagosur në shpatull, shtetasi Mariglen Hoxha, 25 vjeç, i njohur ndryshe si Lorenc Hoxha, jashtë rrezikut për jetën.
 
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
 
- Mjeti tip "BMË X5".
 
- 3 aparate celularë.
 
U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor për shtetasit Dejvis Rrustemaj, Klajdi Kodra dhe Igler Qose për veprën penale " Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal dhe për shtetasin Ardit Xhaferri, për veprën penale " Përkrahje e autorit të krimit", parashikuar nga neni 302 i Kodit.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

‘Ford’ jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump

‘Ford’ jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump