Qyteti i Kukësit prej disa ditësh me radhë nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19. Edhe katër testet e fundit kanë rezultuar negative. Vatra në Kukës deri me tani po duket se po izolohet duke mbetur në kuotën e 18 të prekurve, nga të cilët deri më tani 10 janë të shëruar dhe të karantinuar në shtëpitë e tyre. Sipas Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, aktualisht nga numri i aktiv i të infektuarve me koronavirusin në qytetin e Kukësit është 5 persona. Njëri prej tyre është i shtruar në Spitalin Infektiv, Tiranë.
Sakaq, në gjendje të mirë shëndetësore janë edhe 6 policët e infektuar të izoluar në pritje të kohën për tiu nënshtruar testimeve përfundimtare ndërsa janë shëruar 5 punonjësit e personelit shëndetësor të spitalit të Kukësit të infektuar më herët. Me shfaqjen e rasteve të para në Kukës u zhvilluan mbi 200 teste, por fatmirësisht deri më tani duket se gjithçka flet me shenja optimizmi për të dalë edhe Kukësi nga harta e Covid-19. Rasti i parë me covid 19 në qytetin e Kukësit u shënua me 14 prill 2020.
Në Kukës prej disa ditësh policia vendore po bën operimin në terren me dron, për identifikimin e personave që thyejnë karantinën apo orarin e ndalim qarkullimit në fashat e orarit kur është e ndaluar lëvizja. Kontrollet po zhvillohen edhe në oraret kur është e ndaluar lëvizja si dhe gjatë fundjavës kur edhe Kukësi futet në karantinë të plotë.