Në tunelin e Llogarasë vijojnë punimet me ritme intensive për finalizimin e kësaj vepre infrastrukturore. Pamjet nga puna që po kryhet në këtë kantier u ndan sot nga kryeministri Edi Rama me një postim në “Facebook”.

“Mirëmëngjesi dhe me tunelin e Llogarasë ku puna vijon për finalizimin e tij, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan kryeministri.

Në total ky projekt kushton 20.4 miliardë lekë, ndërsa është një investim infrastrukturor që konsiderohet si ndër më të rëndësishmit për jugun e vendit. Tuneli pritet që të shkurtoj distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta dhe do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash.

Përgjatë muajve të verës, tuneli që do jetë i hapur për mjetet do të aksesohet pa pagesë. Pagesa për tunelin do të vijojë pas 2025, kur tuneli do të dorëzohet plotësisht.

Tuneli do të lidhet me rrugën Orikum-Dukat dhe me Palas-Dhërmi dhe do të ketë 4 korsi. Pritet që të lehtësohet mjaft qarkullimi i mjeteve me kalimin në këtë rrugë të re për në jug, megjithatë pas hapjes që parashikohet në fund të muajit tjetër, mjetet e tonazhit të rëndë nuk do të kalojnë në këtë tunel përkohësisht, por nga rruga e vjetër.