Pamjet që vranë qytetarët e Kosovës, FSK nderon ushtarët serbë që kryen masakra – Sveçlës i kërkohet përgjegjësi

Pamjet që vranë qytetarët e Kosovës, FSK nderon ushtarët serbë që kryen masakra – Sveçlës i kërkohet përgjegjësi

Ushtarët serbë që dikur masakruan mijëra shqiptarë, të premten u nderuan nga Garda Ceremoniale e FSK-së. I pranishëm ishte edhe ministri Xhelal Sveçla, i cili nuk po tregon se pse mori pjesë në ngjarjen që poshtëroi gjithë Kosovën. Nga Sveçla po kërkohet së paku një falje publike. Praninë e ministrit Sveçla në këtë ngjarje, anëtari i kryesisë së PDK-së Adri Nurellari e sheh si “ zell të madh për t’iu servilosur ambasadorëve të huaj”, sepse ceremonia u mbajt nën patronatin e Ambasadave Gjermane dhe Franceze me rastin e 104 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në varrezat e të krishterëve në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Për qëndrimin gatitu të Gardës Ceremoniale të FSK-së para pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë serbë në vitet 1912-1918, Ministria e Mbrojtjes doli me një reagim duke e mohuar atë që shihet. Teksa fotografitë dëshmojnë se ushtarët e FSK-së u vunë roje pranë varreve të ushtarëve serbë, ministria që udhëhiqet nga Armend Mehaj tenton t’i hedh hi syve qytetarëve.

Ndërsa, nga zyra e presidentes Vjosa Osmani thanë se pjesëmarrja e Gardës së FSK-së në ngjarje të tilla nuk vjen për miratim në Presidencë.

“Ne nuk jemi organizatorë të kësaj ngjarje. Sipas praktikës, pjesëmarrja e Gardës së FSK-së, në ngjarje të tilla, të organizuara nga palë të tjera nuk vje për miratim në Presidencë”, tha për Gazetën Express, këshilltari për media në zyrën e presidentes Osmani, Bekim Kupina.

Sipas gazetarit dhe shkrimtarit Daut Dauti “çdo shenjë respekti para varreve të ushtarëve serbë është ndër gjestet më të pakuptimta dhe më të shëmtuara që mund të bëjë një shqiptar”.

“Ushtritë serbe kanë ushtruar gjenocid ndaj shqiptarëve që nga viti 1876 e deri më 1999…Ushtria serbe ka vrarë civilë shqiptarë (gra, burra dhe fëmijë të paarmatosur) pandërprerë dhe me shifra të paimagjinueshme për logjikën e njeriut”, thotë në një shkrim në profilin e tij në Facebook gazetari dhe shkrimtari Daut Dauti.

Ndërsa, aktivisti i Shoqërisë Civile, Shkëlzen Gashi publikoi një fotografi që dëshmon krimet e ushtarëve serbë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë.

Gazeta Express ka zhvilluar një bisedë me anëtarin e kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, i cili thotë se skandali i kësaj ngjarje “qëndron në faktin që homazhet u bënë para një  monumenti që glorifikonte të rënët e ushtrisë serbe gjatë viteve 1912-1918, pra jo vetëm ata të Luftës së Parë Botërore 1914-1918 por duke përfshirë këtu edhe ata ushtarë që pushtuan Kosovën dhe zhvilluan dy luftërat Ballkanike në periudhën Tetor 1912- Gusht 1913”.

Nurellari shprehet se në tetor-nëntor 1912 qeveria serbe kishte ndërmarrë gjenocid të mirëfilltë ndaj shqiptarëve duke masakruar e dëbuar civilët shqiptar.

“Gjatë pushtimit të Kosovës në tetor-nëntor 1912, por edhe pas instalimit të organeve ushtarake, policore dhe civile, qeveria serbe ndërmorri një gjenocid të mirëfilltë ndaj shqiptarëve duke masakruar e dëbuar civilët shqiptar e duke i zëvendësuar në mënyrë të organizuar me kolonë serbë. Për më tepër viset e banuara nga shqiptarë u shndërruar në fushë-betejat kryesore të luftimeve mes shteteve ballkanike dhe iu nënshtruan krimeve masive dhe pastrimit etnik sistematik nga secili prej tyre duke rezultuar në dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë dhe qindëra mijëra të dëbuar drejt Turqisë dhe Shqipërisë”, tha Nurellari për Gazetën Express.

Nurellari përmend edhe raportimet e gazetave për masakrat që u bënë atëkohë ndaj shqiptarëve, prandaj ai thotë se nderimi i FSK-së ndaj atij lapidari përbën akt të turpshëm dhe fyes ndaj shqiptarëve.

“Masakrat ndaj civilëve u dëshmuan dhe u raportuan nga qindëra gazetarë evropianë që i ndoqën konfliktet nga afër, duke përfshirë këtu edhe Trockin i cilin raportonte nga terreni asokohe për gazetën ukrainase “Kievskaja mysl”. Për masakrat e konstatuara u hartua në 1914  nga Carnegie Endoëment for International Peace një dokument me titull “Raport i Komisionit për investigimin e shkaqeve dhe për rrjedhën e luftërave ballkanike” i cili tronditi botën e qytetëruar për përmasat e krimeve të kryera ndaj popullsisë të pambrojtur civile prej shteteve ballkanike. Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në kohën e Luftërave Ballanike 1912-1913 dëshmojnë me hollësi madje edhe intelektualë serbë të kohës si Dimitrije Tucoviqi apo Kosta Novakoviqi. Ky i fundit llogariste numri e përgjithshëm të të vrarëve gjatë viteve 1912 dhe 1913 në të gjtha trevat shqiptare nën kontrollin serb në rreth 120.000. Prandaj ndërimi i FSK-së ndaj atij lapidari poshtëron kujtimin e dhjetëra mijëra parardhësve tanë civilë të pafajshëm që u shfarosën nga ushtarët serbë që nderon ai lapidar duke përbërë një akt të turpshëm, fyes ndaj shqiptarëve”, shprehet Nurellari.

Kësisoj, sipas Nurellarit “autoritetet e Kosovës apo të Shqipërisë që të përkujtojnë Luftën e Madhe  ku shqiptarët nuk ishin palë me asnjë bllok por ishin thjesht viktima të pavullnetshme në nivel masiv”.

Adri Nurellari ka komentuar edhe pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla në këtë ceremoni. Ai tha se Sveçlës i takon së paku një falje publike.

“Mua më duket një papërgjegjshmëri në nivel masokist ndaj vuajtjve të shqiptarëve dhe nuk do doja ta mendoja që është bërë me vetëdije për kontekstin nga ministri Sveçla. Në rastin më të mirë do e shikoja si një manifestim injorance përkundrejt historisë së kombit tonë që është nxitur edhe prej zellit të madh për t’iu servilosur ambasadorëve të huaj. Prandaj prej tij do të nevojitej së paku një falje publike.  Në rastin më të keq, nëse është bërë me vetëdije të plotë atëhere do përbënte një akt të rëndë e të turpshëm anti-kombëtar që do ta kishte hak kërkimin e dorëheqjes nga kryeministri Kurti, nëse ky i fundit vazhdon ta mbajë veten si lider patriotik”, tha ai për Gazetën Express.

Edhe Shkëlzen Gashi vlerëson se “Garda Ceremoniale e FSK-së, Ministria e Brendshme e Kosovës, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe Ambasada e Francës në Prishtinë duhet t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve të Kosovës”.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari thotë se në një vend normal edhe Ministria e Mbrojtjes do të duhej të jepte shpjegime dhe gjithashtu do të duhej të kërkonte falje.

“Në një vend normal me institucione të përgjegjshme, Ministria e Mbrojtjes do të duhej të jepte shpjegime për gafën e prezencës e Gardës së Nderit në një monument serb të dedikuar veprimtarisë së ushtrisë së tyre gjatë viteve (përfshi 1912-13 ) që përbëjnë një nga periudhat  më kulminante të gjenocidit ndaj shqiptarëve.  Me këtë rast një kërkim falje publike do ishte më e pakta që do duhej kërkuar. Përkundrejt ambasadave që janë të akredituara në Kosovë e jo në Serbi, një ministri serioze e punëve të jashtme të Kosovës do të duhej që të kërkonte sqarime përse është zgjedhur prej tyre që të bëhen homazhe pikërisht në një monument serb  kontraversal që përkujton një periudhë traumatike për  historinë dhe memorien kolektive  të popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

Analisti Blerim Latifi shkroi se në krye të Kosovës ka “edhe injorantë që i dërgojnë djemtë e FSK- së aty, për të bërë roje nderi të memoriali i vrasësve të të parëve të tyre”.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një reagim nga ministri Xhelal Sveçla por i njëjti nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as zyra e kryeministrit Kurti, as Instituti i Historisë së Kosovës dhe ASHAK.

Garda e FSK-së u vu roje tek varri i ushtarëve serbë që kanë rënë në Kosovë nga viti 1912-1918.

“Këtu qëndrojnë eshtrat e ushtarëve të rënë serbë, që vdiqen në luftërat 1912-1918”, shkruan pllaka përkujtimore.

Në ceremoni, ambasadorët kanë folur për armiqësinë e dikurshme franko-gjermane dhe për partneritetin që sot e kanë këto dy vende, duke e ndërlidhur këtë me historinë e dy popujve që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe serbëve.

Lufta e Parë Botërore filloi me 28 korrik 1914 dhe përfundoi me 11 nëntor 1918, me fitoren e bllokut të Antantës ku bënte pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, NDAJ aleancës Tripalëshe, ku bënin pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. /Express

 

 

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turicka: 15/11/2022 07:54

    He Arbëror trushplari ku je? Pse nuk komenton bemat e ktyre bukurosheve qe nderojne shkijet? Apo ktu te dhemb bytha se po te shajne prejardhjen e Salehut? Ptu, far e keqe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin