Panairi i Librit 2021/ Veliaj i jep çmimin e autorit më të mirë shkrimtarit Virgjil Muçi 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka dhënë çmimin si autori më i mirë shqiptar i vitit 2021 shkrimtarit Virgjil Muçi me vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”. I pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve në “Panairin e Librit “Tirana 2021” kryebashkiaku Veliaj u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuuar në ngritjen në piedestalin e merituar të librit dhe letërsisë. 

“Shumë faleminderit të gjithë atyre që janë investuar në një nga industritë më sfiduese, industria e librit, e përkthimit, dijes, e gjërave të mençura dhe gjërave të bukura. Në një kontekst si yni është realisht një nga sfidat më të mëdha. Përtej këtij momenti, që është momenti më kulmor duke qenë që jemi në mes të panairit dhe e gjithë vëmendja është për ta, ajo që do vlerësoja është që për të gjithë ata që janë të përkushtuar në këtë kauzë do doja ta kishim çdo ditë të vitit me të njëjtin zell dhe pasion,” u shpreh Veliaj. 

Kreu i Bashkisë tha se kjo është hera e dytë që Bashkia e Tiranës është sponsore gjenerale e Panairit të Librit, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm, vitin kur Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë do ketë një edicion special kushtuar shkrimtarëve të rinj shqiptarë. “Është e vërtetë që ne jemi për herë të dytë sponsorë gjeneralë të Panairit. Nuk është sekret, unë dhe Petriti kemi pasur një debat të gjatë në vitet e mia të para në Bashki, sepse në mendimin tim nuk do duhej që bota letrare të ishte mimikë, apo imitim i botës politike dhe më vjen mirë që për 2 vite kemi pasur një unifikim të këtij komuniteti, siç i ka hije. Jam shumë krenar për këtë. Do të vazhdojmë vitin tjetër, sigurisht edhe me një buxhet më të madh. Çdo vit kemi ardhur në rritje, kështu që dua që vitin tjetër duke qenë se Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë të kemi dhe një edicion të veçantë për letrarët e rinj dhe një premium për të vlerësuar më të mirin” u shpreh ai. 

Kreu i Bashkisë u shpreh se vëmendja e Bashkisë së Tiranës kundrejt librit me shtimin e modernizimin e bibliotekave ka bërë që të rritet dhe interesi kryesisht i të rinjve drejt tyre. “Në 6 vitet e fundit ne shkuam nga 0 në 9 biblioteka komunitare, nga Moikom Zeqo tek Pazari i Ri, Musine Kokalari tek shkolla “Vasil Shanto”, Petro Zheji tek Njësia 9, etj. Por përsëri nuk mjafton, ndaj do doja që të na jepnit rekomandime ku mund të ishin 9 biblioteka të tjera. Sot i kemi mundësitë. Qyteti financiarisht është pak më i fortë seç e gjetëm, kështu që do të doja këtë partneritet dhe do e prisja nga ju. Sot ne kemi futur edhe kurse të teknologjisë, edhe të kompjuterëve, pra udhëtimi për në bibliotekë të mos jetë vetëm vajtja në një magazinë libri, por edhe një hapësirë për të mësuar edhe disa aftësi të tjera për shekullin ku jetojmë,” deklaroi Veliaj. 

Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Bashkia e Tiranës ka dhënë për kulturën dhe për librin në veçanti. “Dua të falenderoj Kryetarin e Bashkisë për fjalët e mira për premtimet dhe ftesën për bashkëpunim të cilën ne e përqafojmë. Viti që kaloi ishte shumë i vështirë dhe ne bëmë një panair digjital, një gjë e bukur vitin e shkuar mes atij pesimizmi nga ata që besuan. Ishte Bashkia e Tiranës që besoi tek ne dhe ne bëmë një panair të veçantë ashtu siç e bëri Frankfurti dhe Gjeneva, qytete të rëndësishme të librit”, tha Ymeri. 

Ndërkohë për çmimin e përkthimit më të mirë për këtë vit triumfatore u shpall Flavia Kaba, me përkthimin e vëllimit me tregime “Qyteti i avullit” nga Carlos Ruiz Zafon, autor i rëndësishëm i letërsisë spanjolle që u nda nga jeta vetëm 2 vite më parë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:12
Mori çmimin shkrimtari i më i mirë i vitit, Virgjil Muçi falenderon Veliajn: Është pranë kulturës dhe librit 

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Virgjil Muçi, i cili në këtë edicion të veçantë të Panairit të Librit, u shpall shkrimtari më i mirë i vitit, është shprehur mjaft i emocionuar, sa për çmimin aq edhe për vlerësimin nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Autori i më shumë se 10 librave dhe përkthyes i 13 titujve të autorëve të mëdhenj, njëherësh fitues i çmimit Kadare në vitin 2018, tha se kjo është hera e parë që merr çmim nga një politikan dhe për këtë e falenderoi kryebashkiakun Erion Veliaj, të cilin vlerësoi se ka bërë shumë për promovimin e kulturës në qytetin e Tiranës. 

“Dikush i krahasonte çmimet me kalushët e drunjtë të fëmijëve që i marrin kur janë të vegjël dhe kanë dëshirë të hipin dhe të zbaviten me ta. Unë sot po marr kalushin tim të drunjtë dhe ndoshta diku do ta lë dhe do ta kujtoj me shumë kënaqësi dhe mirënjohje. Falënderoj jurinë, falënderoj Shoqatën e Botuesve, falënderoj Erionin që është pranë kulturës dhe librit dhe kështu duhet të jetë gjithmonë. Është hera e parë që marr çmim nga një politikan dhe një kryetar Bashkie dhe kjo e bën këtë kalush të drunjtë edhe më të çmuar për mua”, deklaroi Virgjil Muçi. 

Shkrimtari Virgjil Muçi u shpall më i miri nga juria që vlerësoi mbi 100 prurje të reja në letërsinë shqiptare gjatë këtij viti, pikërisht për vëllimin e tij me tregime “Fajin ma ka gjuha”. Ky cikël tregimesh fantastike është pjesë e një trilogjie narrative që zë fill me “Përralla shqiptare 100+1 natë”, vijon me “Erotikoni e Satirikoni” dhe përmbyllet me “Fajin ma ka gjuha”. Libri “Fajin ma ka gjuha” përmban 14 tregime dhe 1 novelë.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Neri: 20/11/2021 14:35

    Ca te ben jeta, edhe servil te nje alabaku si Veliaj te ben.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Barcelona 'prezanton' epokën Xavi 2, Laporta: Ekipi ka nevojë për stabilitet! Trajneri: Kemi harmoni me presidentin dhe Decon

Barcelona 'prezanton' epokën Xavi 2, Laporta: Ekipi ka nevojë për stabilitet! Trajneri: Kemi harmoni me presidentin dhe Decon