Cikli i organizimit të Panaireve të Punës vijoi sot me “Panairin e Punës Fier 2019, i cili përfshin rajonin e Fierit, Lushnjes dhe Mallakastrës.
Në këtë panair morën pjesë rreth 60 biznese nga rajoni i Fierit, shkollat profesionale dhe qendra e formimit profesional, përfaqësues të institucioneve kryesore vendore, përfaqësues të projekteve bashkëpununese në fushën e arsimit, formimit profesional dhe punësimit, drejtuesit e zyrave vendore të punësimit, etj.
Rreth 900 vende të lira pune janë ofruar nga 60 bizneset pjesëmarrëse në Panair për të gjithë punëkërkuesit që janë në kërkim të një pune. Këto biznese i përkasin sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si ndërtimi, telekomunikacioni, tregtia, industria përpunuese, bujqësia, etj.
Panairi i Punës Fier u vizitua nga rreth 3,000 individë, punëkërkues potencial dhe nxënës të profesionale dhe 9-vjeçare.
Sipas të dhënave nga INSTAT, pjesëmarrja në forcën e punës në qarkun e Fierit është 73.9% nga 72.2% që ishte një vit më parë, ndërsa niveli i punësimit është 66.8%, nga 61.6% që ishte një vit më parë. Shkalla e papunësisë është 9.6% nga 14.8% që ishte një vit më parë (mesatarja në shkallë vendi 12.3%).
Sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, për periudhën 1 Janar – 31 Mars 2019, në Rajonin Fier janë shpallur 778 vende të lira pune, janë punësuar 544 punëkërkues të papunë; 239 punëkërkues të papunë janë dërguar në kurse të formimit profesional.