Panairi 'Tirana 2012' mes
uljesh dhe promovimesh

Panairi 'Tirana 2012' mes<br />uljesh dhe promovimesh
Edicioni i 15-të i Panairit të Librit 'Tirana 2012' vijon të zhvillohet deri të dielën në mbrëmje. Prej së mërkurës, së 14 nëntorit, të paktën 100 botues kanë sjellë për të pasionuarit e librit rreth 1500 tituj të rinj të vitit 2012. Sipas organizatorëve këtë vit janë plot 60 promovime autorësh e librash të rinj. Por shifra totale e titujve që ekspozohen në 1800 metra katrorë, është mbi 60 mijë.
Kjo do të thotë se lexuesitqë kërkojnë vetëm titujt e rinj duhet të kërkojnë me kujdes mes librave të stivuar në stenda apo banakë. Një ide për tu orientuar është edhe ndjekja e aktiviteteve të ngjeshura që nënkuptojnë kryesisht promovime botimesh
të reja.

TË PREMTEN TITUJ DHE REFERATE
Në orën 10:00 Fondacioni "Ibrahim Rugova" do të promovojë botimin "Rugova i letërsisë" përgatitur nga Dhurata Shehri, Kujtim M. Shala, Munish Hyseni dhe Alban Mehmetaj. Po gjatë kësaj ore do të promovohet edhe "Gjenetika Vs Poetika" i autorit Kujtim M. Shala. Më pas salla e promovimeve i takon shkrimtarit të njohur Carmine Abate dhe librit të tij "Le stagioni di Hora" .

Në mesditë është koha e Visar Zhitit dhe botimit të tij më të fundit "Rrugët e ferrit të çarë"dhe thuajse njëherazi me të, poezitë e Mirela Sula, vijnë me botimin "Mos e lër mendjen të ikë". Duke qëndruar tek poezia, në orën 17:00 bëhet prezantim i librit "Lapis Niger", të përbërë nga dy përmbledhje poezish, të shkruara nga Nicola Saracino dhe Eliana El Po.Të interesuarit për ekranin e madh nuk duhet të humbasin takimin dhe promovimin e librit "Ekrani është vetë ëndrra", të shkruar nga regjisori i njohur Mevlan Shanaj, në orën 17.30. Për studentët e interesuar që duan të studiojnë në Amerikë është një takim në sallën e promovimeve ku përfaqësuesit e stendës së ambasadës amerikane,do të ligjërojnë mbi mundësitë e studimit.

Dhe ata që kanë pasion për qytetin mund ndjekin një referat të Friederike Meyer, arkitekte dhe redaktore e revistës për arkitekturën "Bauwelt"

 E SHTUNA, MES "TOKASH" TË HUAJA DHE ROMANESH SHQIPTARE
"Shqipëri 1912" rivjen për publikun në orën 11:00 së bashku me një konferencë interesante nga Frederick du Laurense. Mesdita kalon nga "territori francez", në atë spanjoll ku do të promovohet "Historia e Spanjës", e autorve Fernando Garcia de Cortázar dhe José Manuel González Vesga. Ambasada spanjolle do të paraqesë gjithashtu edhe "Muaji më mizor" të autores Pilar Adon. Instituti Italian I Kulturës do të sjellë botimin "Luce che sgorga dall'abisso" të autores Drita Çomo. me parathënie të Ismail Kadaresë. Për tu shënuar është ora 13.00 ku dy botimet të reja sjellin mjeshtërinë e shkrimtarit Zija Çela. Lexuesit mund të njihen me "Buza e kuqe dhe gjaku i errët" dhe "Pika drite në eklips". Duke qëndruar tek botimet e reja ia vlen të shikoni edhe librin "Një ballkanas në Londër" të autorit Rudolf Marku si dhe promovimin e librit "Don Kishoti te shqiptarët" të prof. Ali Aliut.

Një pjesë e mirë e titujve që ekspozohet gjatë ditës së shtunë I përkasin studimeve dhe histories si "Jam Europ" autor Enis Sulstarova, "Arkitektura osmane në Shqipëri 1385-1912" me autor Dr.Machiel Kiel apo prezantimi i numrit monografik të revistës "Il Veltro": influenca e marrëdhënieve me Italinë në krijimin e ndërgjegjjes kombëtare shqiptare.Për të mos u humbur është konferenca e studimeve me temë " Arbëreshët, roli i shtypit dhe cështja shqiptare në Itali mes shekujve XIX dhe XX" . në fund të kësaj konferenca do të ketë edhe disa lexime lexime pjesësh letrare nga I. Kadare, L. Starova, A. Podrimja, V. Zhiti, G. De Rada, G. Serembe, C. Abate, E. Scutari, G. Schirò di Maggio, të përgatitura nga Nando Pace dhe Monica Rovito.

E DIELA ARBËRESHE
Dita e diel që do të shënojë edhe mbylljen e panairit, zë një pjesë të mirë të kohës me studime albanologjike si prezantim i revistës ndërkombëtare "RES ALBANICAE" apo prezantimi I kolanës së re të botimeve Albanistica e Fondacionit Universitar "Francesco Solano" me librin e parë të kolanës: Tokat shqiptare të çliruara: Çamëria nën kujdesin e Donato Martuccit.
Po gjatë kësaj dite do te prezantohet edhe botimi dixhital I gazetës së parë shqiptare "Shqiptari i Italisë", themeluar e drejtuar nga Girolamo De Rada. Ndërkohë vijon të jetë e hapur eskpozita mbi imazhin e Shqipërisë dhe i Ballkanit në fillim të shekullit të XX nëpërmjet gazetës italiane "La lettura", me material të Renato Fasanella Masci ripërpunuar dhe realizuar nga Shpend Bengu. Serinë e promovimeve do ta mbyllë libri "Papagajtë e Nembrotit" i autorit Moikom Zeqo ndërsa gjithcka do të ketë përfunduar si zakonisht me ndarjen e cmimeve në orën 18:00.

FËMIJËT, KOLANA ARTISTIKE DHE DIDAKTIKE
Mes botimeve të larmishme, ia vlen të shihet me kujdes botimi për fëmijë.
Shumë prej shtëpve botuese e kanë në linjën e tyre kryesore botimin për lexuesit e vegjël dhe të rinj. Tendenca vihet re në kolana dhe sidomos në ndarjen e botimeve sipas grupmoshave. Kolana "Një familje e paparë" sjell tetë libra me histori gazmore që vendosin një familje në situata në dukje të thjeshta por mjaft zbavitëse. Ndërsa kolana e Edukimit financiar përfshin një seri botimesh didaktike me njohuri rreth parasë, për moshat nga 5 deri në 18 vjec. Por ajo që bie në sy është kontrasti mes botimeve të përkthyera dhe atyre kombëtare. Vështirë të gjeni botime shkrimtarësh të rinj për fëmijë.

shkrimi u publikua në suplementin Fundjava, Shqiptarja.com, datë 16 nëntor
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi